Foto: Luxembourg Times
Zyrtarë, figura publike dhe parti politike uruan 9 Majin – Ditën e Evropës dhe Ditën e Fitores mbi Fashizmin.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, tha se sot festojmë paqen, unitetin dhe vlerat e përbashkëta që e përcaktojnë familjen tonë të madhe evropiane. „Në këtë ditë të veçantë, Mali i Zi rikonfirmon me krenari angazhimin e tij ndaj këtyre parimeve dhe rrugën e tij strategjike drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028. Gëzuar Ditën e Evropës!,“ thuhet në urimin e Gjeloshajt.
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka uruar Ditën e Evropës më 9 maj, duke i dërguar urime ambasadorit të BE-së në Mal të Zi, Johan Sattler, si dhe të gjithë qytetarëve të Malit të Zi.
“Ky 9 Maj na gjen më pranë Evropës se kurrë më parë, që nga nisja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian,” tha Camaj në mesazhin e tij.
Ai theksoi se përparimi në këtë drejtim është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta – të shumicës qeverisëse që, përkundër sfidave, po e mban vendin në kursin e integrimit evropian, të qytetarëve që vazhdojnë të japin mbështetje për realizimin e objektivave evropiane, si dhe të partnerëve dhe fqinjëve evropianë pa ndihmën e të cilëve kjo rrugë do të ishte e pamundur.
“Kontributi juaj personal, z. Sattler, që Mali i Zi të mos humbasë vrullin drejt BE-së, është i çmuar,” shtoi Camaj.
Ai theksoi se Mali i Zi sot mund të krenohet me përkushtimin e qartë ndaj respektimit dhe zbatimit të vlerave evropiane, si dhe me punën në përmbushjen e detyrave të mbetura, duke theksuar se, pavarësisht pengesave sporadike, rruga drejt qëllimit evropian mbetet e arritshme dhe e shpejtë.
“Gëzuar Dita e Evropës – dita e unitetit të të gjithë popujve nën çatinë evropiane,” theksoi Camaj.
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka uruar Ditën e Evropës dhe Ditën e Fitores mbi Fashizmin, duke theksuar rëndësinë e shumëfishtë që ka kjo datë për Malin e Zi dhe qytetarët e saj.
“Sot, me krenari shënojmë Ditën e Evropës dhe Ditën e Fitores mbi Fashizmin. Vlera e kësaj dite është e paçmuar – e gjejmë te sakrificat e të parëve tanë për idenë e paqes, tolerancës dhe mirëqenies, por edhe te përkushtimi ynë për të jetuar në një shoqëri me demokraci të zhvilluara”, u shpreh Dukaj.
Ai theksoi se kjo ditë duhet të shërbejë si frymëzim që, duke respektuar sakrificat e brezave të kaluar, të ruajmë fokusin në përmbushjen e detyrimeve nga agjenda evropiane.
“Kontributi ynë i përbashkët në ndërtimin e institucioneve demokratike, forcimin e të drejtave të njeriut, respektit të ndërsjellë dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve, duhet të mbetet qëllimi ynë i pakushtëzuar”, tha ai.
Ministri përfundoi mesazhin e tij me dëshirën që Mali i Zi të ruajë frymën e vlerave autentike dhe të bëhet anëtare e plotë e familjes së madhe evropiane – aty ku, sipas tij, e ka vendin natyrshëm.