DITA E EUROPËS, SFIDAT E PARLAMENTIT EUROPIAN

9 Maji, Dita e Europës sot festohet pak para zgjedhjeve europiane që zhvillohen në fillim të Qershorit. Fillimisht largimi i Britanisë së Madhe nga BE, pastaj Pandemia e Covid-19, pastaj lufta e Rusisë në Ukrainë, që prej zgjedhjeve të fundit europiane zhvilluar në vitin 2019, parlamentarët europianë kanë qenë para sfidave të mëdha.

Për Parlamentin Europian një ndër sfidat më të mëdha mbetet lufta në Ukrainë, ku që prej vitit 2022 u hartua një listë e zgjeruar sanksionesh kundër Rusisë që detyroi uljen e aftësisë së saj për të financuar luftën në Ukrainë. Liderët janë zotuar të mbështesin Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme, si dhe për t’a afruar atë gjithnjë e më shumë me familjen e madhe europiane.

Mes të tjerash një seri skandalesh për spiunazh kanë vijuar prej kohësh në paralamentin europian. Në vitin 2022, prokuroria belge kreu një hetim për rastin e njohur si “Katargate”, megjithëse Katari hodhi poshtë përfshirjen. Në prill të këtij viti, u shfaqën njëra pas tjetrës njoftime për një aksion të supozuar rus propagande, ku një punonjës i një deputeti gjerman të BE-së, u arrestua me akuzën e kryerjes së spiunazhit për Kinën. 

Për një kohë të gjatë vazhdon të jetë një nga temat më të diskutueshme: migracioni dhe politika e azilit të BE-së. Pas diskutimeve dhjetravjeçare, në fillim të muajit Prill, Parlamenti i BE-së dha aprovimin përfundimtar të reformës së azilit. Shumë qeveri e cilësuan këtë si histori suksesi. Sipas ligjeve të reja, çdo vend i BE-së duhet të pranojë një numër të caktuar të migrantëve që mbërrijnë në brigjet e BE-së, ose duhet t’i paguajë një dëmshpërblim vendeve të tjera që i marrin migrantët.

Një ndër rregulloret më historike të miratuara së fundmi në Parlamentin Europian ishte edhe ai për inteligjencën artificiale e cila po rrezikon vendet e punës dhe jo vetëm. Vitin e kaluar hyri në fuqi një rregullore e re, e cila detyron platformat online që të luftojnë në mënyrë aktive përmbajtjet e dëmshme.

SHARE