HUNGARIA MBËSHTET ANËTARËSIMIN E VENDEVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR NË BE

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, theksoi se Bashkimi Evropian (BE) ka nevojë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se procesi i zgjerimit të BE-së është çështje e sigurisë kombëtare të vendit të tij. 

Në panelin e Forumit Ballkanik në Budapest ,përveç Szijjarto-s morën pjesë ministrja e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka; zv/kryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq; si dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Szijjarto në fjalimin e tij tha se sa më shumë anëtarë të ketë BE, aq më e fortë do të jetë dhe se përshpejtimi i procesit të zgjerimit është çështje e sigurisë kombëtare për Hungarinë.

“BE-ja tani ka më shumë nevojë për Ballkanin Perëndimor, sesa vendet e rajonit kanë nevojë për Unionin”, tha Szijjarto.

Ai pohoi se ata që e kundërshtojnë zgjerimin e BE-së, e dobësojnë BE-në, duke shtuar se shumë vendet anëtare të BE-së veprojnë në mënyrë hipokrite ndaj vendeve kandidate dhe se kjo është e papranueshme.

Kryediplomati hungarez theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor luan një rol të rëndësishëm lidhur me luftën kundër migrimit të parregullt, duke shtuar se në rast se vendet e rajonit nuk bashkëpunojnë me BE-në, ata do të mbeten në një situatë shumë të vështirë për të ndaluar migrimin e parregullt.

Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, Szijjarto tha se vendi i tij është fqinj me Ukrainën dhe se nuk duhet rritur tensioni.

Kryediplomatja e Shqipërisë nga ana e saj e falënderoi Hungarinë për mbështetjen e dhënë në procesin e zgjerimit, duke theksuar se BE-ja një kohë të gjatë nuk mendon strategjikisht lidhur me këtë.

Sipas saj, është një lajm i mirë që BE ka filluar të kuptojë më shumë rëndësinë e rajonit pasi Rusia e sulmoi Ukrainën.

“Lufta i ofron një mundësi BE-së që të bëjë përditësim të vlerësimit të situatës dhe të kuptojë se siguria e Evropës nuk mund të ndahet nga siguria e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Xhaçka.

Daçiq, nga ana tjetër, theksoi se kushtet e BE-së për anëtarësim ndryshojnë vazhdimisht, duke shprehur keqardhjen për këtë.

Ai tha se Maqedonia e Veriut për anëtarësim në BE e ndryshoi madje edhe emrin, por pavarësisht kësaj nuk ka siguruar një përparim serioz.

“Asgjë nuk del nga nënshkrimi i marrëveshjeve të ndryshme, sikur po nënshkruajmë peceta”, tha Daçiq.

Ndërkaq, Bujar Osmani, theksoi se Maqedonia e Veriut e filloi integrimin në BE në vitin 2001, por nuk ka shënuar një përparim serioz që nga ajo datë.

Ai e cilësoi Ballkanin Perëndimor si një ishull i rrethuar nga vendet anëtare të BE-së, ndërsa shtoi se ky projekt nuk do të përfundojë përderisa vendet e rajonit nuk bëhen anëtare të BE-së.

SHARE