Vepra dhe veprimtaria Kombëtare e Pashko Vasës

Nga: Hamit Boriçi

Pashko Vasa, i njohur edhe si Vaso Pashë Shkodrani, është një “Veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare dhe një nga ideologët e parë të saj, poet dhe publicist”. (Fjalori Enciklopedik Shqiptar – Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2009, f. 2857)

Akademikë e profesorë autoritarë të botës shkencore shqiptare kanë nxjerrë në pah rolin historik të Pashko Vasës me veprat dhe veprimtarinë e tij atdhetare, veçanërisht veprën madhore “E vërteta për Shqypenin dhe shqyptarët”, shkruar në pikun e punimeve të Lidhjes së Prizrenit. Historianët e gjithënjohur e vlerësonin: “Deri tani dimë se formimin e kombit shqiptar nën këtë platformë e ka trajtuar frontalisht për të parën herë Pashko Vasa në traktatin e vet të njohur “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, (Kristo Frashëri – Abdyl Frashëri, Tiranë, 1984, f. 155) “Vepra e Pashko Vasës «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët » përfaqëson pa kurrëfarë dyshimi manifestin e parë madhor ideo-politik të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ». (Gazmend Shpuza – Kumtesë e mbajtur në Sesionin Shkencor të organizuar nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” me temë “Autorët e Veriut”, Revista “Perla”, 2004. Nr. 3)

KUSH ISHTE DHE KUSH ËSHTË PASHKO VASA?

Pashko Vasa u lind në vitin 1955 në qytetin e Shkodrës, qendër viljaeti i Perandorisë Osmane, nga prindër të ardhur nga Mirdita, Gjokë Vasa e Drande Gjergji. Mësimet e para i mori në vendlindje, gjimnazin e kreu në Venedik. Me diplomën e pjekurisë u kthye në atdhe. Në Shkodër shpejt ra në sy për dituri, kulturë e qytetari, ashtu edhe për gjuhët e huaja, zotëronte, italishten, latinishten, frëngjishten dhe anglishten.

Djaloshi inteligjent tërhoqi edhe vëmendjen e përfaqësisë diplomatike britanike të akredituar në Shqipëri, rezidente në Shkodër, që e emëroi sekretar të Konsullatës.

Ndërkohë Pashko u përfshi në qarqet e intelektualëve të rinj që i ishin përkushtuar çështjes kombëtare. Njohja dhe bashkëpunimi me bashkëkohës, atdhetarë të flaktë si Zef Jubani (1818-1880), ndikoi shumë në rrugëtimin e tij në politikë, në publicistikë, në krijimtari letrare dhe në studime shkencore.

Jeta dhe qëndrimi i tij përparimtar, kritik e liberal nuk pëlqehej nga rrethet familjare e shoqërore, që kishin hyrë në rrugën e borgjezimit, për më tepër, në një kohë që zienin kryengritjet e kundërshtimet e mëdha popullore ndaj reformave të Tanzimatit.

Idetë e reja të atyre kohëve që po shtriheshin në Ballkan ndikuan shumë në vetëdijen e Pashko Vasës. Ai mbante lidhje edhe me shokët e tij të shkollës veneciane; vlerësonte përpjekjet e tyre të pareshtura kundër zgjedhës së huaj. I frymëzuar e motivuar nga ato ideale, më 1847 e ndëpreu punën në Konsullatën Angleze dhe shkoi si emigrant politik në Itali.

Për motivet dhe gjëndjen shpirtërore të tij në ditët e emigrimit më 7 korrk 1848 do t’i shkruante Nikolla Tomazeut, poetit, enciklopedit, revolucionarit italian, udhëheqësit kryesor të luftës së Venedikut kundër ushtrive të huaja në atë kohë: “ me brengë të thellë në zemër kam lënë vendin e lindjes sime, prindët dhe të afërmit e mi, drithmat e para të dashurisë dhe shpresat qytetare”. (Shënim: Në pranverën e vitit 1848, kur Jeronim De Rada botonte në Napoli gazetën “L’Albanese d’Italia” (“Shqiptari {Arbëreshi} i Italisë”), djaloshi shqiptar me “ide e ideale patriotike e demokratike”, luftonte në Romë dhe në Venedik, përkrah popullit italian për çlirimin nga zgjedha e huaj. (Historia e Letërsisë Shqiptare-, botim i Institutit të Gjuhësisë e të e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave, Tiranë,1983, f. 158) De Rada do ta njihte Pashko Vason më vonë përmes veprave që shkroi e botoi në kryeqytetet e Europës. Ai, në revistën e tij “Fjamuri i Arbërit” i bëri jehonë traktatut “E vërteta mbi Shqipërinë e shqiptarët”, duke iu drejtuar lexuesëve:“Shihni disertacionin e shkëlqyer të Vaso Pashës, botur në gjermanisht në Berlin më 1879”! (Revista “FJamuri i Arbërit “, 20 korrik 1883). Po në atë numër të së përkohshmes arbëreshe do të publikonte me vlerësime shkrimin e Pashko Vasës për vrasjen e Mehmed Ali Pashës në Gjakovë, “një armik i dërguar prej armiqëve” të Shqipërisë “ për të ndarë një pjesë të Shqipërisë e për t’ia dhënë Malit të Zi siç e donin Fuqitë Kristjane” )

Pashko Vasa i graduar në Romë Oficer i Kalorësisë u dërgua në Bolonjën e rrethuar nga trupat ushtarake austriake. Luftoi në përkrahje të popullsisë kryengritëse që mbronte Republikën venedikase. “Ngjarjet u ndërlikuan dhe më 28 gusht 1849 ushtria austriake hyri në qytet. Vendiku u dorëzua. Pashko Vasa me disa ushtarakë italianë u nis për në Ankona, ku austriakët e zunë dhe, si nënshtetas turk, e detyruan të shkonte në Stamboll.

Ditët dhe javët e para në Stamboll, ende i panjohur, pa punë e pa strehë, Pashko Vasa u përball me vështirë jetike. Pas shumë përpjekjeve u punësua në shoqërinë e tramvajeve të qytetit. Por me kohë, me interesimin dhe përkrahjen e bashkatdhetarëve arriti të hyjë në administratën osmane. Ai shfrytëzoi edhe politikën e Portës së Lartë, që kërkonte e përzgjidhte elementë të besimeve të ndryshme, veçanërisht kristjanë. Pashko Vasa, njohës edhe i turqishtes dhe osmanishtes, shpejt u shqua për aftësi drejtuese dhe organizative, veçanërisht në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kështu ai ngjiti shkallët në Ministrinë së Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane. Ndërkohë iu përkushtua edhe çështjes kombëtare. Pareshtur punoi me gojëtari e penë për zgjimin e vetëdijes kombëtare, për bashkimin e shqiptarëve.

Nga epistolari i tij, një letër, që mban datën 20 korrik 1857, mësohet se ai gjëndej në Shkodër, ku qëndroi deri më 1862. Në vendlindje mblodhi të dhëna, fakte e dokumente, që do t’i shfrytëzonte për studimet dhe artikujt e mëvonshëm. (Profesor Vehbi Bala – monografia “Pashko Vasa”, Tiranë, 1979, f.39 )

Në vitin 1883 Porta e Lartë e ngarkoi me detyrën e guvernatorit të përgjithshëm në Liban, ku pas 9 vjetësh, më 1892 u nda nga jeta. Eshtrat e Pashko Vasës me nderime e ceremoni zyrtare u sollën në Shqipëri në qershor të vitit 1978, me rastin e njëqindvjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Pashko Vasa prehet në varrezat e dëshmorëve në Shkodër.

VEPRIMTAR, POLITIKOLOG, IDEOLOG

Dinamikën e ecurisë dhe veprimtarime e Pashko Vasës e gjejmë në Stamboll, në Prizren dhe pësëri në Stamboll (1878 ne Stamboll në ambasadën vjeneze) dhe përsëri në Prizren. (Shih Gazeta“Dita”,28 maj 2021, f. 18) Ai ishte “Një nga figurat udhëheqëse të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, (Robert Elsie-Histori e letërsisë shqiptare – Tiranë-Pejë, 1997, f. 181) një nga misionarët e dritëdhënës me ide, veprimtari e vepra që edhe në kohët tona ruajnë vlera jo vetëm historike.

Gjatë qëndrimit në Stamboll iu përkushtua çështjes kombëtare, sidomos në vitet ’60-‘70 dhe fillim të viteve ’80 të shek. XIX. Në vitet 1877-1882 në krah të dijetarit dhe ideologut të madh të Rilindjes, Sami Frashërit dhe të vëllaut të tij, Abdyl Frashërit, i cili “U shqua si personalitet politik qysh më 1877 kur Kriza Lindore po rrezikonte trojet shqiptare” (FESh-i, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 2009, f. 721). Abdyl Frashëri e la Janinën në javën e dytë të dhjetorit 1877. Shkonte në Stamboll i sapozgjedhur deputet i Janinës në Paralamentin e dytë turk. Më 21 dhjetor 1877 ai zgjidhet Kryetar i Komitetit Qëndror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, i njohur si Komiteti i Stambollit. Me këto atribute ai do të ishte zëdhënës edhe i kombit e të kombësisë Shqiptare.

Anëtar të Komitetit të Stambollit ishin personalitete, veprimtarë të mirënjohur të Rilindjes Kombëtare si Hasan Tahsin, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Pandeli Sotiri, Koto Hoxhi etj. Pashko Vasa qe një nga figurat kryesore të atij Komiteti, edhe si misionar aktiv, “…për idejimin, thirrjen, organizimin dhe përfundimin me sukses të Kuvendit Historik të Prizrenit”. (Gazmend Shpuza -Pashko Vasë Shkodrani flamurtar i shqiptarizmit – Gazeta “Dita”, Tiranë, 6 gusht 2019, f. 14 – 16)

Ishte koha kur Pashko Vasa ideoi dhe formuloi disa memorandume, drejtuar qarqeve diplomatike angleze e austro-hungareze, sidomos atë të 20 qershorit 1878, drejtuar përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse në Kongresin e Berlinit, ku i bënte të ditur opinionit ndërkombëtar se “po lindëte një çështje e re, çështja shqiptare”.

NJË VËSHTRIM, TRI VEPRA TË SHUMËVLERËSUARA

Pashko Vasa është autor i një vargu veprash studimore politike, letrare, publicistike dhe me karakter shkencor. Ato shtrihen në kohë prej gati një gjysëmshekulli, prej vitit 1850 deri më 189: memoralistika ”Burgim im”, trajtesat shkecore ideo- politike e shoqërore “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” e “Shqypnija dhe shqiptarët” si dhe romani «Bardha e Temalit».

“Burgimi im”

U kushtohet ngjarjeve, zhvillimeve dhe përjetimeve të tij si pjesëmarrës aktiv në qëndresën historike kundër pushtuesve të huaj. Në letrën, që i dërgonte nga Stambolli të njohurës së tij Ilda Vimerkatit, shkruante: “m’u duk i domosdoshëm ky punim i vogël, për t’i dhënë në dorë publikut një histori të saktë rreth episodit të mbrojtjes së Venedikut”. (Sipas“La Nazione Albanese”-Kombi shqiptar”, Katanzaro)

Ngjarja fillon më 16 korrik 1849 kur Pashko Vasa, oficer i Shtabit Madhor të Ushtrisë venedikase, inspekton baterinë “Roma” në mbrojtje të qyteti të rrethuar. Ai, si dëshmitar okular, pasqyron episode e ngjarje politiko-shoqërore, bazuar në fakte e të dhëna historike dhe përjetime të realitetit, episode e ndodhi gjatë rrethimit të Venedikut nga ushtria austriake dhe qëndresën heroike të popullsisë. Ai nuk krijon figura artistike, por përshkruan, skicon e portretizon tipa shoqërorë, si koloneli Ogyst de Zhui, togeri Buroviq, gjenerali Gulielmo Uloa dhe zonja fisnike, kontesha Ilda Vimerkati të cilës me mirënjohje ia kushton këtë vepër. Studiuesi Injac Zamputi, përkthyes i kësaj vepre, në fjalën hyrëse të botimit në gjuhën shqipe, që e përcakton “episod historik”, argumenton se Pashko Vasa me këtë libër shfaqet publicist e historian i dimensioneve të mëdha me ide, mendime për të ardhmen e shoqërisë bashkëkohëse. Ndërsa profesor Vehbi Bala e vlerëson: “vepër “me karakter publicistik, historik e biografik” me “rëndësi letrare dokumentare”. (Revista “Studime historike”, l97l, nr. 3. f. 144)

Autori edhe pse trajton episode e probleme të jetës italiane, përshkruan përjetimet e veta, mallin për atdhe: “Mendja më shhkonte tek atdheu im, te prindërit, tek vëllezërit. Oh, sa e ndjeva atëherë dhimbjen…e atij që ka braktisur atdheun e prindët dhe u ka dhënë lamtumirë shpresave më të shtrenjta…!”. Dhe hapur aludon për Shqipërinë dhe shqiptarët, madje gjen shteg për të kujtuar se Mahmut Pasha i Shkodrës, “guxoi të shihte mundësinë e një Shqipërie të bashkuar”.

Ai ngre zërin për luftë të pareshtur kundër pushtuesve të huaj dhe forcave reaksionare, duke nënëvizuar se bëhej fjalë për luftëra të drejta për liri, pavarësi kombëtare, për shtetin e popullit në fuqi.

“E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”

Është vepra kryesore ideopolitike e historike për Shqipërinë e shqiptarët e atyre kohëve, të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pashko Vasa, parashtron idetë dhe problemet themelore, kërkesat e kohës dhe të së ardhmes të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Ideja për hartimin e kësaj vepre i lindi Pashko Vasës gjatë një vizite private që bëri më 20 tetor 1878 në selinë e përfaqësisë diplomatike austro-hungareze në Stamboll. Ai e njohti ambasadorin austrohungarez me historinë dhe gjëndjen e Shqipërisë e të popullit shqiptar. Diplomati e dëgjoi me vëmendje e interes dhe kërkoi që ato ide e mendime t’ia paraqiste me shkrim si një përkujtesë.

Nisur si parashtresë, “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” u realizua si studim i thelluar. (Shënim: Kjo vepër u ribotua në në Paris në frëngjisht, në Londër anglisht dhe në Berlin gjermanisht. si dhe në gjuhën italiane. Në gjuhën greke e përktheu dhe e botoi veprimtari i shquar Rilindës, Anastas Kullurioti). Autori, përmes kësaj vepre u bënte me dije kancelarive europiane se ekzistonte një Shqipëri dhe një komb i vetdijshëm shqiptar me një histori të lashtë, që kërkonte e luftonte për të drejtat e tij, për liri duke shkuar drejt pavarësisë.

Ai tregon: “Deri në vitin 1831 Shqipëria qeverisej nga krerë kombëtarë. Çdo qytet që kishte njëfarë rëndësije, kishte pashain ose beun e vet”, përbëhej nga dy qeveri të mëdha, kryeqytete të cilëve ishin Shkodra dhe Janina, kryesuar nga sundimtarë feudalë”. (“E vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët”- Kreu XI) Ata kishin themeluar pashalleqet e tyre dhe qeverisnin thuajse të pavarur: Mehmet Pashë Bushati në Shkodër dhe Ali Pashë Tepelena në Janinë. Sipas të dhënave të vitit 1912, Vilajeti i Janinës kishte 559.700 banorë, nga të cilët qenë 59.1% shqiptarë, 29.4% grekë, 10.4% vllehë, 1.1.% të ndryyshë, kurse në rrethete Korçës dhe të Durrësit nuk kishte asnjë banor grek”. (Shih Historia e Shqipërisë, vëll. II. Tiranë 1984, Kap.1; si edhe Kristo Frashëri- Abdyl Frashër, Tiranë 1984, f.133)

Pasi shpjegon prejardhjen e emrit Shqiponjë (“Shqiponja quhet shqipe-shqype- Shqipëri ose Shqypeni do të thotë “Vendi i shqipes”, saktëson se Shqipëria është një e tërë, përbëhet prej dy trevave: veriore-Gegë (Shqipëria e Sipërme) dhe jugore-Toskë (Shqipëria e Poshtme). Ata – shkruan Pashko Vasa- shtrihen: “ “Shqipëria e Sipërme fillon me Tivarin, përfshin të gjitha fiset katolike të veriut, rrethet e Pejës, Prishtinës, Vranies, Kaçanikut, Shkupit, Perlepit, Manastirit, Ohrit, dhe mbaron në Elbasan, Shqipëria e Poshtme fillon në Elbasan dhe shtrihet deri në Prevezë”.(“E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” – Kreu XIII)

Vëmendje të veçantë u kushton etnive kombëtare shqiptare, ndonëse kanë besime fetare të ndryshme, “Myslimanët e Shqipërisë janë shqiptarë sikurse edhe kristjanët; ata flasin të njëtën gjuhë, kanë të njëjtat zakone, ndjekin të njëjtat tradita, kanë të njëjtat doke; ata dhe kristjanët nuk e kanë urryer kurrë njëri tjetrin. Midis tyre nuk sundon ndonjë urrejtje qindravjeçare…”. (“E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” – Kreu XII)

Në vijim kritikon administratën burokratike osmane dhe paraqet kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Me kurajo kundërshton manovrimet e Portës së Lartë, që, gjoja, për riorganizim administrativ, “Shqipëria është ndarë në tre vilajete: Shkodër, Janinë dhe Manastir”. Pashko Vasa me guxim shprehet: “Sipas pikëpamjes sonë, ndarja e Shqipërisë në tre Vilajete do të kishte mjaftuar për t’a bërë të pamundur efektshmërinë e administrimit homogjen”. (“E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” – Kreu XI!I) Në vazhdim shton: ““Një eksperiencë e kotë, gjendje e pakënaqëshme, e trishtuar…që tri provinca të Shqipërisë qeverisen nga njerëz që nuk njohin vendin, gjuhën dhe zakonet e popullit”. “…Prandaj – i drejtohet jo vetëm ambasadorit austrohungarez – është në interesin tonë të përbashkët që e gjithë Shqipëria të bashkohet në një vilajet të vetëm, t’i jepet asaj administrimi i thjeshtë, kompetent dhe i fortë; të integrohen në administrimin e saj elementët e vendit …”…“Një harmoni e tillë e të gjithë nënshtetasve është bazuar për formën dhe fuqinë e një vendi, afron garanci për mirëqënie”. Pashko sugjeron: “Porta e Lartë t’u japë shqiptarve një organizim ushtarak të ngjashëm me Zvicrën”. (“E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” – Kreu XIV)

Pashko Vasa, si reformator dhe një statist vizionar, shfaq mendimin se është e domosdoshme që “t’i jepet Shqipërisë një organizim i fortë, homogjen, kompakt, në pajtim me nevojat e saj dhe me karakterin e popullsisë së saj”, që “të vihet në gjëndje, me anë reformash radikale, për të zhvilluar forcat e veta intelektuale, pasurinë dhe fuqinë ushtarake”.

Në vepër, pasi sjell fakte për lashtësinë e shqiptarve, për tiparet e karakterin e tyre burrëror e të panënshtruar, shpreh vendosmërinë e këtij kombi për të jetuar i lirë në trojet e veta. “Ne do të parapëlqenim ta qanim Shqipërinë të vdekur, – shkruan ai, – sesa ta shihnim të copëtuar në dobi të fqinjëve. Nuk duam që populli shqiptar të bjerrë tipin e vet karakteristik, doket e veta, gojëdhënat e veta dhe gjuhën e vet”.

“E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” bëri jehonë në komunitetin shqiptar, brënda dhe jashtë trojeve tona etnike, si dhe në qarqe historiane, politike e diplomatike të Europës, vlerësuar si vepër-projekt program, manifest ideopolitik e historik kombëtar.

Rilindasi Anastas Kullurioti me një editorial të së përkohshmes, që asokohe botonte në kryeqendren e Greqisë (Athinë, 1879-1880), u bënte të ditur lexuesëve se: “…qëllimi i kësaj ka qenë të tregonte, dhe e tregoi mjaft mirë në këto rrethana të vështira, se Shqipëria, e cila dikur dha aq shërbime shpëtimtare për Evropën, sot ka të drejtë për kujdesin dhe drejtësinë e kësaj Evrope, dhe s’duhet të copëtohet si plaçkë lufte, që të ngrihen mbi gërmadhat e saj shtete të tjera mikroskopike…”. (Gazeta “I foni this Alvanias” /“Zëri i Shqipërisë”/, Athinë, nr. 27, dt. 24 maj 1880)

Në vijim kritikon administratën burokratike osmane dhe paraqet kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Me kurajo kundërshton manovrimet e Portës së Lartë, që, gjoja, për riorganizim administrativ, “Shqipëria është ndarë në tre vilajete: Shkodër, Janinë dhe Manastir”. Pashko Vasa me guxim shprehet: “Sipas pikëpamjes sonë, ndarja e Shqipërisë në tre Vilajete do të kishte mjaftuar për t’a bërë të pamundur efektshmërinë e administrimit homogjen”. (“E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” – Kreu XI!I) Në vazhdim shton: ““Një eksperiencë e kotë, gjendje e pakënaqëshme, e trishtuar…që tri provinca të Shqipërisë qeverisen nga njerëz që nuk njohin vendin, gjuhën dhe zakonet e popullit”. “…Prandaj – i drejtohet jo vetëm ambasadorit austrohungarez – është në interesin tonë të përbashkët që e gjithë Shqipëria të bashkohet në një vilajet të vetëm, t’i jepet asaj administrimi i thjeshtë, kompetent dhe i fortë; të integrohen në administrimin e saj elementët e vendit …”…“Një harmoni e tillë e të gjithë nënshtetasve është bazuar për formën dhe fuqinë e një vendi, afron garanci për mirëqënie”. Pashko sugjeron: “Porta e Lartë t’u japë shqiptarve një organizim ushtarak të ngjashëm me Zvicrën”. (“E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” – Kreu XIV)

Pashko Vasa, si reformator dhe një statist vizionar, shfaq mendimin se është e domosdoshme që “t’i jepet Shqipërisë një organizim i fortë, homogjen, kompakt, në pajtim me nevojat e saj dhe me karakterin e popullsisë së saj”, që “të vihet në gjëndje, me anë reformash radikale, për të zhvilluar forcat e veta intelektuale, pasurinë dhe fuqinë ushtarake”.

Në vepër, pasi sjell fakte për lashtësinë e shqiptarve, për tiparet e karakterin e tyre burrëror e të panënshtruar, shpreh vendosmërinë e këtij kombi për të jetuar i lirë në trojet e veta. “Ne do të parapëlqenim ta qanim Shqipërinë të vdekur, – shkruan ai, – sesa ta shihnim të copëtuar në dobi të fqinjëve. Nuk duam që populli shqiptar të bjerrë tipin e vet karakteristik, doket e veta, gojëdhënat e veta dhe gjuhën e vet”.

“E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” bëri jehonë në komunitetin shqiptar, brënda dhe jashtë trojeve tona etnike, si dhe në qarqe historiane, politike e diplomatike të Europës, vlerësuar si vepër-projekt program, manifest ideopolitik e historik kombëtar.

Rilindasi Anastas Kullurioti me një editorial të së përkohshmes, që asokohe botonte në kryeqendren e Greqisë (Athinë, 1879-1880), u bënte të ditur lexuesëve se: “…qëllimi i kësaj ka qenë të tregonte, dhe e tregoi mjaft mirë në këto rrethana të vështira, se Shqipëria, e cila dikur dha aq shërbime shpëtimtare për Evropën, sot ka të drejtë për kujdesin dhe drejtësinë e kësaj Evrope, dhe s’duhet të copëtohet si plaçkë lufte, që të ngrihen mbi gërmadhat e saj shtete të tjera mikroskopike…”. (Gazeta “I foni this Alvanias” /“Zëri i Shqipërisë”/, Athinë, nr. 27, dt. 24 maj 1880)

“Shqypnija dhe shqiptarët”

Është një trajtesë shkencore e publicistike që zë fill me lashtësinë e etnisë shqiptare dhe përshkruan tiparet e veçoritë që e karakterizojnë kombin dhe kombësinë tonë, trashëguar në breznitë që në hershmëri.

Pashko Vasa hedh vështrimin në qenësinë e mëvetësinë e shqiptarve dhe të gjuhës shqipe që në periudhën pellazgjike. “Ne jemi – pohon – pa kundërshtim gjindja e populli më i vjetër e ma i moçmi i të gjithë Europës, ma të vjetër se Grekët e se të gjithë kombet qi njifen prej historijet”. (“Shqypnija dhe shqiptarët”,në”Allfabetare e gjuhës shqipe”,- ndë Konstandinupojë,- mbë 1879) Me krenari kumton: “Na shqyptarët kemi qindrue tash tri mijë vjet e ma tepër, e kemi mbajtun gjuhen e mendimin, karakterin, trimninë, dashtuninë e lirinë qi na kanë lanë të parët…”. (Vepra e plotë e Pashko Vasës,,Prishtinë, l989, vëllimi 3, f. 244)

Argumenton se qëndresa e shqiptarve ka kalur përmes luftave të pareshtura dhe sjell në vëmendje të lexuesve historinë e Skëndebeut, që në “Gjithë ato lufta, qi goditnë, emni i Skënderbeut shndriti gjithkah, porsi një diell i ri, e faqe e bardhë e Shqypnis duel në shesh e u përmend nuk vetëm në Rumeli, por edhe n’Evropë, e thuhej gjithkund se Skenderbegu ishte burri ma i miri, luftari ma i fort i jetës (shekullit) në të cilën gjalloi”. (burim i cituar,f. 65)

Më tej u drejtohet shqiptarve bashkëkohës me thirrje “,..për dashuri, vëllazëri e bashkim kombëtar: “…për me na shtimun ndë zembër t’yn dashtunin për shoqi-shojnë e me na ngrof e me na nxemun për me shique me sy vllaut të gjith shqyptarët, të gjith ata qi flasin gjuhen t’yn e qi rrjedhin prej fisi të parve t’yn”. (Vehbi Bala-Pashko Vasa – Tiranë 1979, f. 42 ) Prandaj si rilindës iluminist shtronte nevojën e mësimit “Makare të msoheshin e të zejshin me shkrue e me ligjrue, e t’baheshin t’ dijshem, e të hollonin menden e t’merrshin vesht punt e jetes porsi kombet tjera…”. …Pranaj’ u thomi dit e nat me çue djemt e vashzat n’shkoll qi te msohen e te zan me ligjrue e me shkrue e me u ba t’ dishem n’ daçim me fitue…”. (Vehbi Bala-Pashko Vasa- Tiranë 1979, f. 69)

Autori e përrmyll trajtesën me formulimin e një dëshire të zjarrtë: “…na nuk kena asnji dishir ma të madh se me pa Shqypninë marë e mirë, të fortë e të pasun, me na u gëzua zemra kur të shofim vllaznit tonë me u dashtë e nderue njenin me tjetrin e me u lidhë të gjithë me besë e me fe për të mirë e lumni të dheut Shqypnisë”. (Burim i cituar, f. 71)

Në procesin e analizës e të pasqyrimit të gjendjeve dhe parashtrimin e problemeve në trajtesën “Shqypnia dhe Shqyptarët” Pashko Vasa ka shfrytëzuar mjete dhe elemente të mjeshtërisë së publicistikës analitike, duke marrë shkas e përftuar analiza e sinteza nga zhvillimet politiko-shoqërore në Bosnjën e Hercegovinën e atyre kohëve.

KRIJUES, MJESHTËR I FJALËS SË SHKRUAR

Pashko Vasa letrar

Është një nga letrarët e hershëm shqiptarë, ”Shkrimtar dhe patriot i Rilindjes që “zuri një vend të merituar në historinë e letërsisë shqipe që në hapat të saj. (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 1153) Krijimtaria e tij poetike kulmoi me vargjet e shumënjohura “O moj Shqypni e mjera Shqypni” (1880) me të cilën poeti u drejtohet bashkatdhetrve:

Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu
Të gjithë si vllazën n’nji besë shterngoniu,

E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!

Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund l’shon dielli vap’edhe rreze,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’ tanë”

Te desim si burrat qe vdiqne motit
Edhe mos marrohna perpara zotit”.

Vjersha-poemë “O moj Shqypni!”, që qarkulloi si “fletë fluturuese”, u bënte jehonë ideve dhe vendimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, (Shih: Historia e Letërsisë Shqiptare-, botim i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave, Tiranë, 1983, f. 151) ushqente idenë e bashkimit të shqiptarve të të tri besimeve, duke vënë mbi fetë shqiptarinë që autori e quan “fe të shqyptarit”dhe “…i ftonte ata të ngriheshin në këmbë për shpëtimin e atdheut. (Albanur Forum” -Pasqyra Shqiptare ne Internet – “Zhvillimi i ideologjise dhe i kultures se Rilndjes Kombetare” (vitet ’80 te shekullit XIX – 1912 )

Po atë vit (1880), “në Janinë, Naim Frashëri shkruante poezinë e tij të parë në gjuhën shqipe, ashtu si Pashko Vasa, ia dedikonte Shqipërisë”…”. Dy poezitë…janë një angazhim social e madje edhe politik të fortë e pasionant të autorëve. Ato shënojnë lindjen e poezisë atdhetare”…”Jo rastësisht inicuesë të saj ishin pikërisht Vaso Pasha e Naim Frashëri, dy personaitete të Rilindjes Kombëtare, që koha i amshoi “Apostuj të shqiptarizmës”. (Akademik Pëllumb Xhufi – Gazeta “Dita”,28 maj 2021, f. 18)

Veprimtarinë krijuese letrare do ta përfundonte me prozën «Bardha e Temalit» («Barda de Témal», Paris 1890) një nga romanet e parë në letërsinë shqiptare, që autori do t’ia kushtonte vendlindjes së tij me kujtime e përmallim. Me ndjesi e besnikri përshkruan ngjarje e përjetime, mjedisin shqiptar në Shkodrën e viteve ‘40 të shek.XIX me doket dhe zakonet karakteristike, evokon ngjarje e situata konkrete.

Romani synonte t’u tregonte të huajve gjëndjen e problemet e Shqipërisë dhe shqiptarve, ndaj nxirren në pah realitete politike, shoqërore e kulturore, ide dhe probleme të kohës, si rreziku i së ardhmes së Shqipërisë nën sundimin osman, domodoshmëria e luftës për liri, çështje administrative dhe ekonomike tëe Shqipërisë.

Në gojën e Mëhill Vlashit, babait të Aradit, Pashko Vasa vën idetë e tij dhe të borgjezisë kombëtare të kohës, nevojen e luftës për liri, sidomos kur thotë: “Liria e popujve asht si një lule që shpërthen vetiu, ashtu si trumza e maleve. Që ajo të lulëzojë dhe të përhapë eren e vet të mirë, ka nevojë të selitet e të vaditet pa kursim me gjak të kulluar bujar”.

Tipare të publicistikës vasjane

Pashko Vasa, “Një nga shtyllat e forta të Rilindjes Shqiptare” (Nexhip Alpan- Nesip Kaçi-Monograia Shqiptarët në Perandorinë Osmane-, Tiranë 1997, f. 68) nuk ishte gazetar apo publicist profesionist, por një dijetar me formim kulturor, diplomat, politikolog dhe ideolog. Shqyrtimi i trashëgimisë që la edhe në këtë fushë të çon në përfundimin se krijoi dhe ushtroi një publicistikë që për tiparet dhe veçoritë e saj mund të quhet vasjane.

Veçoritë e publicistikës vasjane lidhen me misionin e Pashko Vasës, që ishte zgjimi e vetëdijësimi kombëtar, bashkimi i shqiptarve në Shqipëri e diasporë.

Tipari kryesor, i përgjithshëm e thelbësor, është politik, shkencor dhe social, bazuar në idealet e Rilindjes Kombëtare, atdhetarizmi. Përmbajtja e artikujve, studimeve dhe veprave tashmë të njohura përbëhet nga pasqyrime e trajtime të gjëndjes e zhvillimeve politike e shoqërore të Shqipërisë, prirjet dhe detyrat e çdo shqiptari.

Shquhet Pashko Vasa si politikan e sociology edhe në intepretimin e ngjarjeve të kohës nga një këndëvështrimin aktual e perspektiv të përmbajtjes së tyre. Në lëvizjen e madhe kombëtare, në programin e Lidhjes së Prizrenit ai shihte tej lirisë e pavarësisë së Shqipërisë, shihte udhën e drejtë që, shkallë-shkallë, do t’i çonte shqiptarët “në gjirin e familjes së madhe europjane, pjesë e të cilës janë”.

Historizmi është një tipar qenësor i veprimtarisë krijuese të shkruar të Pashko Vasës. Në artikujt dhe trajtesat e tij ai “evokon të kaluarën, tregon se në rrjedhën e kohëve Shqipëria “…ka kenë e madhe dhe e begatë, me emën të mirë e fort të nderueshëm prej gjithë botet”.

Në çdo vepër, me zhdërvjelltësi u drejtohet kohërave të Skënderbeut, bëmave dhe trimërive, fitoreve të heroit legjendar në krye të popullit në luftë për liri të vatanit.

Pareshtur me aludime dhe hapur flet e shkruan për domosdoshmërinë “…e luftës kundër pushtuesve të huaj dhe forcave reaksionare, sidomos kur arsyeton aq qartë për luftërat e drejta, duke i dalluar nga të padrejtat: “ i barabuar”. (Gazeta “Drita”, Tiranë, 27.6. 1987, f. 12 )

Koncepti publicistik është i motivuar për veprat Politiko-shkencore “E vërteta për Shqypnin e shqyptarët” dhe “Shqypnija dhe shqyptarët”, duke synuar “që Shqipëria dhe çështja shqiptare “të bëheshin mirë të njohura në botë”.Po kështu mendonte profesor Vehbi Bala edhe për artikuj-shkrime studimore “në të cilët mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të rrojtur i lirë dhe i pavarur”. (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 155)

Këtej janë nisur edhe historianët që kanë shfaqur mendimin se në punimet shkencore, letrare e publicistike të Pashko Vasës “janë shkrirë: argumentimi shkencor i historianit, shpirti i poetit dhe shkathtësia e propagandistit”. (Historia e Letërsisë shqiptare-burim i cituar, f. 153)

Artikuj, trajtesa studimore

Pashko Vasa ishte studiues e pasqyrues i ngjarjeve, i problemeve dhe idykurive politiko-shoqërore, kulturore e historike. Ai mendonte dhe arsuetonte si shkencëtar për faktet e qenësinë e tyre, për analizat e përgjithsimet mbi ta, por shfrytzonte mjete dhe elemente të pasqyrimit publicistik që të arritur, siç e shprehte hapur “të sqarojë opinionin publik fqinj dhe europian dhe të ndikonte në vetëdijen qytetare të shoqërisë.

Artikujt studimorë si ato me tituj «Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut» (1865) dhe «Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë” (1872) janë trajtesa historike. Artikulli i parë është një analizë e thellë historike, politike, ekonomike, sociale e kulturore të gjëndjes së Bosnjë-Hercegovinës. Kjo trajtesë është vlerësuar si një studim shkencor dhe aftësi e autorit “për t’i përshkruar gjërat me një stil publicistik të qartë, komunikues dhe të rrjedhshëm në frëngjisht”. Ndërsa në “Skicë mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë” autori dukshëm nëntekston çështjen shqiptare. Dihej dhe dihet se një pjesë e malaziasve para dy shekuj kanë qenë shqiptarë. Janë disa fise, si Vasojeviçi, Kuqi, etj në zonat kufitare me Shqipërinë kanë qenë fise shqiptare, por disa prej tyre janë sllavizuar. Pashko Vasa, duke njohur mirë historinë e malësive të veriut enkas përshkruan zakonet dhe traditat shqiptare që ruanin fiset shqiptare të sllavizuar. Ai kujton sundimin e Mahmud Pashë Bushatit që shtrihej në Shqipërinë veriore (rajonin e mbiShkodrës), Malin e Zi juglindor dhe Kosovës (pjesa perëndimore e Maqedonisë), tregon se “Kur e panë Mahmutin të kacafytur me qeverinë qendrore, malazezët kujtuan se ishte rasti i volitshëm për të ngritur krye”, por u gabuan dhe ndryshuan mendim.(sythi VIII). Dhe shkruan: “Midis këtyre fakteve që përmendëm…”(sythi V). Kështu, përmes rreshtave, u skicua historija e pashallëkut të Shkodrës (1757-1831).

Pashko Vasa ishte një nga themeluesit e veprimtarët më aktivë të “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”. Si misionar për përhapjen e shkrimit shqip, me artikuj studimorë e publicistikë dha një ndihmesë të dukëshme për zgjidhjes e çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes.

Ai shkroi esse dhe skica studimore për gjuhën shqipe. Me penen e tij parashtroi nevojen e të mësuarit të fëmijëve “Makare të zejshin me shkrue e me ligjrue, e t’baheshin t’ dijshem, të hollonin menden e t’merrshin vesht punt e jetes por si kombet tjera…”.

Me rëndësi dhe vlera hulumtuese janë edhe dy studimet e tij: «Gramatika shqipe për t’u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi» dhe «Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe» ku Pashko Vasa paraqet projektin e vet për një alfabet të shqipes. Me këtë esse ai përuronte debatin e gjatë për çështjen e alfabetit, si një nga pikat kyçe për një zhvillim të njësuar gjuhësor e kulturor e për rrjedhojë edhe politik të Shqipërisë e shqiptarëve.

Studjuesi Jup Kastrati ka shkruar: “Alfabeti që u pranua në Komisionin e Posaçëm të Kongresit të Manastirit, që u mbajt nga 14 deri 22 nëntor 1908, me përjashtim të gjashtë shkronjave, ishte krijuar që në vitin 1878 nga Vaso Pashë Shkodrani.

 * * *

Publicistika e Pashko Vasës nuk është pjellë e frymëzimeve spontane, por e nevojës së autorit për të trajtuar një a disa probleme, për të krijuar një opinion të drejtë për shqetësimet vetiake a kombëtare.

Ajo duhet parë e vlerësuar në kontekstin kohor, historik, politik e shoqëror të periudhës së Rilindjes kombëtare, kur profili i shkrimtarit dhe misioni i tij ishin shkrirë e njëzuar me atë të propagandistit, të politikanit, të historianit e deri të statistit, gjeografit e njohësit të mirë të jurisprudencës.

Në veprat madhore, në studimet dhe artikujt publicistikë ai synonte që Shqipëria dhe çështja shqiptare “të bëheshin mirë të njohura në botë”. Këtë detyrë-mision do ta shprehte: “besojmë se e kemi kryer detyrën, duke u shprehur haptas, faqe botës. Ne patëm qëllim për ta bërë të njohur popullin shqiptar, duke treguar prejardhjen e tij dhe fazat nepër të cilat ai është detyruar të kalojë gjatë rrjedhës së shekujve për të arritur deri në ditët tona…”.

SHARE