FORCA: VËNDIMI I KSHZ ËSHTË ANTIKUSHTETUES, DO TË ANKOHEMI

Forca e re Demokratike, vendimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili  pranoi ankesën e Partisë Boshnjake  dhe ua dha atyre një mandate e karakterizon si vendim  antikushtetues

.”Një vendim i tillë përfaqëson një precedent në praktikën zgjedhore, sepse ligji zgjedhor interpretohet në favor të një komuniteti pakicë dhe në dëm të një komuniteti  të një pakicë tjetër kombëtare”, deklaroi funksionari i Forcës, Gezim Haxhibeti , në konferencën e sotme për shtyp.

Ai shtoi se me këtë vendim politik, dëshirohet të dobësohet pozita negociuese e partive politike  shqiptare në procesin post-zgjedhor për formimin e pushtetit në komunën e Ulqinit.

“Kjo nuk është në përputhje me vullnetin e votuesve të cilët u dhanë mbështetjen e tyre bindëse për udhëheqjen e këtij qyteti partive shqiptare dhe më së shumtit Forcës, si parti nacionale e cila  ka një elektorat të qëndrueshëm  ndër vite dhe e cila vepron pa asnjë konflikt dhe ndarje të brendshme dhe për këtë edhe gëzon mbështetje të madhe nga qytetarët, e cila  edhe në periudhën e ardhshme do të jetë një subjekt politik kyç në formimin e pushtetit të dhe në  menaxhimin e Komunës së Ulqinit “, deklaroi Haxhibeti.

Ai paralajmëroi gjithashtu paraqitjen e një ankese kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimeve  të cilat shkojnë në dëm të popullit shqiptar si pakicë në Mal të Zi.  Me vendimin e KSHZ-së , Partia Boshnjake, për të parën herë që nga themelimi i saj,  bëhet parti parlamentare në Kuvendin komunal të Ulqinit, ndërsa Forca sipas këtij vendimi nga nënte mandate bie në tetë mandate.

SHARE