KOSOVË, MIRATOHET LIGJI QË CAKTON ÇMIME TAVAN PËR PRODUKTET THEMELORE

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të martën Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg. Në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputetët e miratuan ligjin me 64 vota pro, asnjë kundër e asnjë asbtenim. Produktet themelore në kuadër të këtij ligji janë: drithërat, mielli i grurit, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezët e pulës, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie. Në këtë ligj përfshihen masat e përkohshme mbrojtëse që do të ndërmerren në raste të veçanta të destabilizimit në treg; shkaqet e caktimit të këtyre masave; mbikëqyrja për zbatimin e këtij ligji, si dhe sanksionet ndaj çdo shkelësi të këtyre masave që janë përfshirë në këtë ligj. “Qëllimi është të ndalohet abuzimi me ngritje të çmimeve me qëllim të shtimit të përfitimit. Projektligji është në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe çdo vendim i marrë sipas këtij ligji do të jetë në përputhje me zotimet dypalëshe mbrojtëse që Kosova ka marrë në kuadër të MSA-së dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare”, theksoi MINT. Me projektligjin nuk u pajtuan partitë opozitare në vend, të cilat edhe nuk morën pjesë në votimin e tij.

SHARE