Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, u ka uruar punë të mbarë deputetëve, duke bërë thirrje për bashkëpunim, dialog dhe përgjegjësi të përbashkët në përballimin e sfidave të vendit.
Begaj tha se nisja e një sesioni të ri është moment për të reflektuar mbi rezultatet e arritura, për të përcaktuar sfidat prioritare dhe për të organizuar më mirë punën institucionale.
Ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare dhe vlerësoi protestën paqësore dhe shprehjen e lirë të mendimeve si pjesë të demokracisë.
Sipas tij, demokracia e konsoliduar nuk përcaktohet nga mungesa e dallimeve politike, por nga mënyra se si ato përballohen përmes dialogut dhe argumenteve.
Begaj kërkoi që Kuvendi të jetë funksional, përfaqësues dhe llogaridhënës, duke iu përgjigjur pritshmërive të qytetarëve.
Si prioritete ai veçoi sigurinë kombëtare, shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, partneritetin me SHBA-në dhe BE-në, reformën territoriale dhe integrimin evropian. Begaj theksoi se integrimi në BE kërkon vazhdimësi, bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët, ndërsa vlerësoi reformën në drejtësi dhe rezultatet e SPAK-ut.
Ai kërkoi një drejtësi efikase, të pavarur dhe me integritet.
Në mesazhin e tij, presidenti u bëri thirrje forcave politike të tejkalojnë ndarjet e momentit dhe të punojnë për interesat afatgjata të vendit.
“Mandatet dhe bindjet politike janë të ndryshme, por përgjegjësia ndaj Shqipërisë është e përbashkët”, tha Begaj, duke uruar që sesioni i ri parlamentar të jetë periudhë bashkëpunimi në shërbim të qytetarëve dhe forcimit të institucioneve.









