Mundësia për zgjerimin e Bashkimit Evropian (BE) deri në vitin 2030 është këtu dhe Ballkani Perëndimor dhe BE-ja duhet ta shfrytëzojnë me shpejtësi të plotë, vlerësoi ministrja e punëve të Jashtme dhe Evropiane e Sllovenisë, Tanja Fajon.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, deklaroi në Forumin Strategjik Bled në fund të gushtit se BE-ja duhet të jetë gati të pranojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030.
Fajon, në një tekst autorial për “Politika”, duke komentuar nëse të dyja palët mund të jenë vërtet gati për zgjerim deri në atë datë, tha se përgjigja e saj për këtë pyetje është shumë e qartë.
“Mundësia është aty dhe duhet ta shfrytëzojmë me shpejtësi. Duhet të punojmë për të gjetur vullnet të mjaftueshëm politik në Ballkanin Perëndimor për reforma dhe vullnet të mjaftueshëm politik brenda BE-së për zgjerim”, tha Fajon.
Ajo tha se këto kohë të vështira kërkojnë liderë të guximshëm nga të dyja palët, të cilët do të shikojnë nga e ardhmja.
“Udhëheqësit që do të jenë të gatshëm të vendosin zgjerimin në krye të agjendës së tyre dhe të marrin vendimet e nevojshme për të mundësuar zgjerimin. Zgjedhjet evropiane do të jenë pra një pikë kthese e rëndësishme për të arritur objektivin e 2030,” tha ministrja Fajon.