BLINKEN NË UKRAINË: 2.6 MILIARDË USD NDIHMË E RE

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken premtoi ndihmë shtesë për Ukrainën gjatë një vizite të papritur në Kiev të enjten, të zhvilluar në kohën kur administrata Biden po synon të ndihmojë ushtrinë e këtij vendi të sulmuar prej muajsh që të rimarre territoret e pushtuara deri tani nga forcat ruse. Kjo është vizita e dytë në kryeqytetin ukrainas e shefit të diplomacisë amerikane që kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi në muajin shkurt pushtimin e Ukrainës. Blinken, i cili udhëtoi gjatë natës me tren nga Polonia fqinjë, është takuar me zyrtarë të lartë vendas për t`i përcjellë atyre mbështetjen e plotë të SHBA-së. Ushtria ukrainase ditët e fundit ka ndërmarrë një kundër ofensivë të madhe që synon dëbimin e trupave ruse nga zonat e kapuara prej tyre në lindje dhe jug të vendit. Por edhe pse kanë arritur të rimarin disa qyteza, ukrainasit kanë dëshpërimisht nevojë për më shumë armë dhe municione me qëllimin të mbizotërojnë mbi rusët e mirëpajisur. Në këtë situatë, mbërriti njoftimi i sekretarit amerikan të mbrojtjes Lloyd Austin se Shtetet e Bashkuara kanë aprovuar një ndihmë të re prej 2.7 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila përfshin 675 milionë dollarë armatime. Ndihma ushtarake do të përfshijë hoëitzers, municione, automjete Humvee, autoambulanca të blinduara dhe sisteme anti-tank. Washingtoni ka ofruar deri tani në total të paktën 13 miliardë dollarë ndihmë për vendin e përballur me një agresion brutal të Rusisë, e nga këto, 2 miliardë dollarë janë në formën e asistencës afatgjatë. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Kombet e Bashkuara kanë verifikuar vrasjen e 5,718 civilëve, duke përfshirë 372 fëmijë, megjithatë sipas OKB-së, shifrat aktuale ka të ngjarë të jenë dukshëm më të larta.

SHARE