Sipas të dhënave jozyrtare të dorëzuara nga organizata turistike vendase pranë Organizatës Kombëtare Turistike të Malit të Zi aktualisht në vendin tonë po qëndrojnë 196 mijë turistë, që është në të njëjtin nivel krahasuar me një vit më parë.
Hotelet kanë shënuar rritje të vazhdueshme krahasuar me një vit më parë.
Ato strehojnë 47,000 mysafirë, që është pesë për qind më shumë krahasuar me një vit më parë dhe 18 për qind më shumë në krahasim me vitin 2019.
Në strukturën e mysafirëve dominojnë vizitorët nga: Serbia, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Izraeli, Turqia dhe Polonia, bëri të ditur përfaqësuesja e Organizatës Kombëtare Turistike të Malit të Zi Millena Vujoviq.
Drejtoria e Statistikave (Monstat) ka evidentuar se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, numri i turistëve ka qenë pak më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 17 për qind më i lartë krahasuar me vitin 2019.
“Të dhënat e Aeroportit të Malit të Zi na tregojnë se gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti janë shërbyer rreth 1 milion e 500 mijë pasagjerë, që është rreth 16 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë dhe 11 për qind më shumë krahasuar me të njëjtin periudhë në vitin 2019. Rritje krahasuar me vitin paraprak tregojnë edhe të dhënat e Drejtorisë së Policisë. Gjatë shtatë muajve të parë, në të gjitha pikat kufitare janë regjistruar rreth 14 milionë kalime, që është 9 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, tha Vujoviq dhe në të njëjtën kohë theksoi se kur bëhet fjalë për të ardhurat nga taksa e banimit, nga fillimi i vitit e deri me datën 6 gusht, të ardhurat totale të dedikuara, pra pjesa e të ardhurave që shkojnë në buxhetin e shtetit, arrijnë në rreth 2 milionë e 280 mijë euro, që paraqet një rritje prej rreth 6 për qind krahasuar me të ardhurat e realizuara në këtë periudhë në vitin 2023.