NGA SOT NIS ZBATIMI I LIGJIT TË RI PËR QASJE TË LIRË NË INFORMACION NË MAL TË ZI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Nga sot ka hyrë në fuqi zbatimi i Ligjit të ri për Qasje të Lirë në Informacion, njoftoi Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi.

Ministri Marash Dukaj theksoi se ministria ka përfunduar të gjitha përgatitjet ligjore, organizative dhe financiare për zbatimin e plotë të ligjit, ndërsa efektet e tij do të monitorohen në bashkëpunim me ekspertët, shoqërinë civile dhe mediat.

Sipas ministrisë, ligji sjell një sistem më modern të qasjes në informacion, rrit transparencën dhe përgjegjësinë e institucioneve publike, si dhe përputhet me standardet e Bashkimit Evropian për të dhënat e hapura.

Për zbatimin e tij janë miratuar shtatë akte nënligjore, janë forcuar kapacitetet e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Qasjen e Lirë në Informacion, si dhe janë trajnuar zyrtarët përgjegjës.

Ligji i ri synon t’u mundësojë qytetarëve qasje më të shpejtë dhe më efikase në informacionet me interes publik, duke kufizuar njëkohësisht mundësitë për heshtje administrative dhe keqpërdorime.

Ministri Dukaj e cilësoi hyrjen në fuqi të ligjit si një hap të rëndësishëm drejt një administrate publike më transparente dhe më të përgjegjshme.

SHARE