KRAPOVIQ: MALI I ZI DO TË VAZHDOJË TË PËRMBUSHË DETYRIMET NDAJ NATO-s DHE TË FORCOJË KAPACITETET MBROJTËSE

Foto: Ministria e Mbrojtjes / Ministarstvo odbrane

Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Dragan Krapoviq, mori pjesë në Samitin e NATO-s, ku theksoi se Mali i Zi mbetet plotësisht i përkushtuar për përmbushjen e të gjitha detyrimeve në kuadër të Aleancës, me synim forcimin e sistemit të mbrojtjes kolektive dhe rritjen e sigurisë.

Gjatë darkës së punës së ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerëve nga rajoni Indo-Paqësor – Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut – u diskutua për zbatimin e prioriteteve të Aleancës, rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të industrisë së mbrojtjes.

Krapoviq deklaroi se Mali i Zi do të vazhdojë të rrisë investimet në sektorin e mbrojtjes dhe të modernizojë kapacitetet kombëtare në përputhje me objektivat e përcaktuara nga NATO.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes aleatëve për forcimin e aftësive parandaluese dhe mbrojtëse të Aleancës, si përgjigje ndaj sfidave të reja të sigurisë.

Sipas tij, zhvillimet globale tregojnë se rajoni Indo-Paqësor ka një rol të rëndësishëm për stabilitetin e hapësirës euroatlantike, ndaj është e nevojshme që NATO dhe vendet evropiane të vazhdojnë të forcojnë partneritetin dhe bashkëpunimin me shtetet e këtij rajoni.

Krapoviq mori pjesë në samit si pjesë e delegacionit malazez, i kryesuar nga kryeministri Millojko Spajiq.

SHARE