QEVERIA MIRATOI ME SHUMICË VOTASH PROPOZIMIN E MARRËVESHJES THEMELORE

Qeveria e Malit të Zi në seancën e sotme disa orëshe ka miratuar propozimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.  Nga 18 ministra të pranishëm, 13 votuan pro.  Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, pavarësisht kundërshtimeve të ministrave Ranko Krivokapiq dhe Rashko Konjeviq për shumicën e cilësuar, deklaroi se pika është miratuar dhe theksoi se ka mundësi që votimi të përsëritet në seancën e ardhshme ose në mënyrë elektronike.  “Ne sot po tregojmë gjithëpërfshirje dhe është fitore kur njerëz të profileve të ndryshme politike bëjnë dialog.  Mos shikoni materialisht, por që nesër të gjithë të krenohemi që kemi kontribuar që njerëzit e përkatësive të ndryshme fetare të pajtohen”, tha Abazoviq. Siç shtoi ai, vetëm Mali i Zi civil mund të mbijetojë. Ministri dhe zëvendëskryeministri Rashko Konjeviq tha se marrëveshja është që për kontratën të vendoset me shumicë të cilësuar, ndërsa ministri i Punëve të Jashtme Ranko Krivokapiq deklaroi se nuk ka shumicë të kualifikuar. Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, tha se nga pozitat e mëparshme ka qenë mjaft kritik ndaj Kishës Ortodokse Serbe, e jo si ministër. “Unë jam shqiptar.  Mendoj se me këtë kontratë e kemi vënë Kishën Ortodokse Serbe në kuadrin ligjor për të respektuar ligjet dhe Kushtetutën e këtij vendi.  Unë shoh që kontrata është e ngjashme me atë me bashkësinë islame dhe kishën katolike. Këtë kontratë po e shikoj edhe nga departamenti që drejtoj. Kjo mund të kishte përfunduar më herët, por shumë gjëra u lejuan që KOS të jetë jashtë kornizës.  Me këtë kontratë kontribuojmë që KOS të hyjë në kuadrin ligjor të shtetit të Malit të Zi. Kështu e shikoj unë”, tha Gjeka. 

SHARE