KRYEMINISTRI KOVAÇEVSI, TAKIM ONLINE ME KRYEMINISTRIN RAMA DHE PRESIDENTIN VUÇIQ

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka zhvilluar një takim online me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.  Takimi u fokusua në intensifikimin e bashkëpunimit për tejkalimin e përbashkët të vështirësive rreth furnizimit me ushqime dhe energji, si dhe për trajtimin e përbashkët të zjarreve të mundshme në të tre vendet këtë verë. Në njoftim thuhet se liderët ranë dakord për formimin e grupeve të përziera të punës për temat e krizës dhe me qëllim formimin e një agjencie të përbashkët për tërheqjen e investimeve të huaja në Ballkanin e Hapur. Sipas njoftimit, Rama dhe Vuçiq, veçmas kanë ripërsëritur mbështetjen e tyre për aktivitetet e ndërmarra të Kovaçevskit, gjegjësisht hapjen e konsultimeve të gjera me aktorët socialë në vend, duke theksuar se e ardhmja evropiane e rajonit është e vetmja mundësi e mirë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë. Më tej, thuhet se në takimin e sotëm, liderët e nismës Ballkani i Hapur theksuan rëndësinë e aktiviteteve të ndërmarra për të përfituar nga lidhja rajonale dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve, e cila tashmë ofron përfitime ekonomike për të gjithë qytetarët Në takim, liderët u pajtuan se përgatitjet për panairin e madh të verërave, ushqimit dhe turizmit në Serbi po shkojnë mirë, ku kantinat dhe prodhuesit e verës nga të tre vendet do të kenë mundësinë t’i prezantojnë produktet e tyre para mysafirëve nga rajoni dhe Evropa.

SHARE