GJUROVIQ: EKZISTON VULLNET PËR TË ZGJIDHUR ÇËSHTJE TË RËNDËSISHME

Të gjitha subjektet politike janë të gatshme të kontribuojnë në zgjidhjen e çështjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, deklaroi kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, pas takimit me liderët e partive parlamentare. Gjuroviq u tha gazetarëve në parlament se ishte shumë e kënaqur me takimin, në radhë të parë me reagimin e subjekteve politike. Ajo vlerësoi se është një mesazh i fortë se ka disponim, përgjegjësi dhe profesionalizëm për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Mal të Zi. Siç tha Gjuroviq, temë e dialogut të sotëm politik ishin kryesisht çështjet që kanë të bëjnë me përshpejtimin e procesit të procedurave të hapura, të cilat janë në kompetencë të komisioneve parlamentare, si dhe sigurimin e shumicës së cilësuar në atë procedurë. “Jam e kënaqur që të gjitha subjektet politike që morën pjesë sot shprehën dëshirën, interesin dhe përkushtimin e tyre për qëllimin strategjik që Mali i Zi të bëhet anëtar i ri i Bashkimit Evropian dhe të kontribuojnë në zgjidhjen e çështjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, me pritshmëri se do të arrijmë një konsensus në një nivel dukshëm më të madh se kaq”, theksoi Gjuroviq. Ajo shtoi se takimi i sotëm ka qenë fillestar dhe se është rënë dakord që komunikimi të vazhdojë.

SHARE