SAMITI BE–BALLKANI PERËNDIMOR NË TIVAT U VLERËSUA SI SUKSES I MADH DHE PROVË E KAPACITETEVE TË SIGURISË SË MALIT TË ZI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Organizimi i Samitit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, i mbajtur në Tivat u vlerësua si shumë i suksesshëm.

Në një konferencë për media në Qeveri, drejtues të sektorit të sigurisë thanë se ky event tregoi pjekurinë institucionale, profesionalizmin dhe aftësinë organizative të shtetit.

Zëvendëskryeministri Alleksa Beçiq deklaroi se samiti ishte një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e re të vendit dhe se Mali i Zi u tregua si mikpritës i shkëlqyer, duke marrë vlerësime pozitive nga liderët evropianë.

Ai theksoi se vendi po përparon drejt anëtarësimit në BE deri në vitin 2028. Sipas tij, në operacionin e sigurisë morën pjesë rreth 2.000 zyrtarë të sektorit të sigurisë, me mbështetje nga njësi tokësore, ajrore dhe detare, duke garantuar sigurinë për 32 delegacione dhe mbi 1.000 pjesëmarrës në zonën e mbrojtur të samitit. Operacioni u realizua pa asnjë incident.

Beçiq dhe zyrtarë të tjerë theksuan se suksesi u arrit falë muajve të përgatitjeve, koordinimit institucional dhe reformave në sektorin e sigurisë, përfshirë modernizimin, digjitalizimin dhe forcimin e kapaciteteve profesionale.

Gjithashtu, u theksua se po vazhdon procesi i reformimit të policisë dhe forcimit të saj me personel të ri, ku është shpallur konkursi për 500 policë të rinj.

Ministria e Punëve të Brendshme tha se kjo është pjesë e planit për të mbuluar mungesën e mbi 1.500 zyrtarëve.

Drejtori i Policisë vlerësoi se operacioni i sigurisë gjatë samitit ishte një nga më të ndërlikuarit në historinë e vendit, por u realizua me sukses të plotë dhe pa incidente.

Në fund u konstatua se organizimi i suksesshëm i samitit dhe reformat e vazhdueshme tregojnë se Mali i Zi po forcon institucionet e tij dhe mbetet i përkushtuar në rrugën drejt integrimit evropian.

SHARE