SHQIPËRIA E SHBA, FIRMOSIN DEKLARATËN KUNDËR RREZIKUT TERRORIST

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u ul krah sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken dhe Princit Faisal bin Farhan Alsaud në Raid ku u zhvillua takimi i ministrave të jashtëm të Koalicionit Global për shkatërrimin e ISIS.

Në ndërhyrjen e saj, Xhaçka tha se Shqipëria i ka dhënë përparësi luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar.

“Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit ka qenë një nga prioritetet e punës sonë në Këshillin e Sigurimit. Gjatë mandatit tonë të deritanishëm kemi punuar ngushtë me miqtë dhe aleatët për të përfaqësuar dhe çuar përpara interesat dhe objektivat tona të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit. Shqipëria është e përkushtuar ndaj këtij Koalicioni, kudo që paraqitet kërcënimi i terrorizmit dhe ne do të punojmë ngushtë me të gjithë aleatët dhe partnerët për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha Xhaçka.

Duke qenë një nga vendet e para, pjesë e aksionit të përbashkët politik ndërkombëtar në kuadër të Koalicionit Global kundër ISIS, Shqipëria rikonfirmoi edhe një herë qëndrimin e saj, për vazhdimin e luftës kundër ISIS, dhe çdo shfaqjeje të terrorizmit.

Në Deklaratën e përbashkët të miratuar në takim, u bëhet thirrje partnerëve në Koalicion që të jenë vigjilentë e të punojnë së bashku ndaj çdo forme të shfaqjes së rrezikut terrorist, në çdo rajon të botës.

SHARE