Qendra për Tranzicion Demokratik, i bëri sot thirrje Qeverisë së Malit të Zi, të formojë një ekip ndër-teknik i cili do të përgatiste një analizë të situatës në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale për qytetarët dhe të shqyrtojë mundësinë e futjes së numrit të tyre personal identifikues, në vend të numrit amzë.
Kryetarja e Qendrës për Tranzicion Demokratik, Millica Kovaçeviq, tha se rasti më i fundit i keqpërdorimit masiv të të dhënave personale të qytetarëve gjatë grumbullimit të nënshkrimeve për mbështetje për zgjedhjet presidenciale konfirmoi se numri amzë është plotësisht i pambrojtur, i cili është në dispozicion për të gjithë, prandaj ekzistojnë mundësi të mëdha për abuzime financiare dhe politike.
Kovaçeviq tha se numri amzë deri para pak vitesh ishte në dispozicion për të gjithë në kuadrin e bazave të të dhënave publike elektronike të subjekteve afariste, në regjistrin e pasurive të patundueshmërisë dhe në bazat e të dhënave dhe dosjeve më të vogla.
“Gjithashtu, të gjitha partitë politike i zotërojnë ato, duke i kopjuar dhe shpërndarë listën e pakontrolluar të regjistrit zgjedhor, i cili përmban të dhëna për të gjithë votuesit e Malit të Zi. Janë shënuar gjithashtu raste të trajtimit të papërgjegjshëm të të dhënave personale në sektorin privat, ndërkohë që vetëdija e qytetarëve për këtë temë është në nivel shumë të ulët dhe nuk është e rrallë që shumica e personave numrin amzë ja jep të gjithë atyre që ua kërkojnë”, tha Kovaçeviq në konferencë për gazetarë.
Ajo tha se Mali i Zi, mund të fusë numrin e identifikimit personal si zëvendësim të numrit amzë, sipas modelit të Kroacisë, e cila që nëntë vite e zbaton Ligjin për numrin e identifikimit personal.
Ajo vlerësoi se numri amzë në Malin e Zi, është i komprometuar deri në atë masë që plotësisht kundërshton Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa komprometimi i këtyre të dhënave dëmton seriozisht marrëdhëniet e besimit midis qytetarëve dhe shtetit.