VENDBANIMI NËN VERIFIKIM, MPB PROPOZON KONTROLLE MË TË RREPTA

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi ka dërguar në parlament draftin e ndryshimeve në Ligjin për regjistrat e vendbanimit dhe qëndrimit, i cili parashikon fshirjen nga regjistri të personave për të cilët ekzistojnë supozime të arsyeshme se nuk jetojnë në vend.

Ky propozim ka hapur debat mes partive politike në pushtet dhe opozitë, të cilat ende nuk kanë një qëndrim të unifikuar. Disa subjekte politike deklarojnë se nuk e kanë parë ende tekstin, ndërsa të tjerat theksojnë se vendimi do të merret në organet partiake.

Sipas propozimit, qytetarët e Malit të Zi që jetojnë përkohësisht jashtë vendit, studiojnë jashtë ose qëndrojnë më gjatë se tre muaj jashtë shtetit, do të kenë detyrim të njoftojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Kjo ka nxitur shqetësime, veçanërisht për të drejtat e votës së diasporës.

Forumi Shqiptar thekson se duhet pasur kujdes që shtetasit tanë, të cilët ndodhen përkohësisht jashtë Malit të Zi, të mos humbasin të drejtën e votës.

“Shumë nga njerëzit tanë jetojnë përkohësisht jashtë vendit, studiojnë jashtë. Ka shumë njerëz që e kanë prejardhjen këtu dhe që kurrë nuk i kanë shkëputur lidhjet me Malin e Zi. Madje janë edhe shtetas. Nëse ata duhet të jenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë apo jo, kjo është çështje marrëveshjeje. Por, si përfaqësues i pakicës shqiptare në Mal të Zi, jam shumë i interesuar që kjo e drejtë të garantohet”, tha deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Lëvizjës Qytetare URA, Millosh Konatar, theksoi se ligji nuk duhet të jetë diskriminues dhe duhet të vlejë njësoj për të gjithë qytetarët. Ai shtoi se qëllimi është krijimi i kushteve të drejta zgjedhore dhe një sistemi të besueshëm të listave të votuesve, por paralajmëroi se zbatimi duhet të jetë i kujdesshëm.

Nga partitë e tjera parlamentare, disa ende nuk kanë dhënë qëndrim zyrtar, ndërsa të tjera presin mbledhjet e organeve partiake për të vendosur. Propozimi i MPB mbetet në fazë shqyrtimi në Kuvend dhe pritet të hapë debat të gjerë politik mbi rregullimin e regjistrit të banimit dhe të drejtave zgjedhore në Mal të Zi.

SHARE