Forcat amerikane dhe iraniane u përleshën në Gjirin Persik të enjten vonë, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe u goditën sërish nga sulme ajrore, duke e rrezikuar armëpushimin njëmujor dhe duke zbehur shpresat për zgjidhjen e konfliktit në mënyrë diplomatike.
Përshkallëzimi i luftimeve ndodhi ndërkohë që Uashingtoni po e priste një përgjigje nga Teherani lidhur me propozimin e tij për t’i dhënë fund konfliktit, i cili nisi me bombardime të përbashkëta amerikano-izraelite në mbarë Iranin më 28 shkurt.
Presidenti Donald Trump tha të premten se tri anije të marinës amerikane u sulmuan derisa po kalonin përmes Ngushticës së Hormuzit, rrugës jetike detare nëpër të cilën rrjedh rreth një e pesta e transportit botëror të naftës dhe gazit të lëngshëm natyror. Irani e ka mbyllur pothuajse plotësisht këtë ngushticë që nga fillimi i konfliktit.
“Tre shkatërrues amerikanë të klasit botëror sapo kaluan me shumë sukses përmes Ngushticës së Hormuzit, nën zjarr. Nuk pati dëme ndaj tre shkatërruesve, por dëme të mëdha ndaj sulmuesve iranianë”, shkroi Trump në Truth Social.
Më vonë, Trump u tha gazetarëve se armëpushimi është ende në fuqi dhe u përpoq ta minimizonte shkëmbimin e zjarrit.
“Ata u tallën me ne sot. Ne i shkatërruam”, tha Trump në Uashington.
Komanda e përbashkët ushtarake e Iranit e akuzoi SHBA-në për shkelje të armëpushimit duke shënjestruar një cisternë iraniane të naftës dhe një anije tjetër, si dhe për kryerjen e sulmeve ajrore ndaj zonave civile në ishullin Qeshm në Ngushticën e Hormuzit dhe në zonat bregdetare në afërsi.









