Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në një tekst autorial me rastin e Ditës së Evropës, theksoi se rruga evropiane e vendit duhet të ketë si qëllim ndërtimin e një shteti të drejtë, funksional dhe ekonomikisht të fortë, ku qytetarët do të zgjedhin të jetojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre.
Ai rikujtoi rëndësinë historike të 9 Majit dhe vizionin e ish-ministrit francez të Punëve të Jashtme, Robert Schuman, i cili pas Luftës së Dytë Botërore hodhi themelet e projektit evropian me qëllim ruajtjen e paqes dhe bashkëpunimit në Evropë.
Millatoviq vlerësoi se largimi i qytetarëve, sidomos të rinjve dhe profesionistëve, mbetet një nga sfidat më të mëdha për Malin e Zi.
Sipas tij, shumë njerëz kanë gjetur më shumë rend, siguri dhe mundësi jashtë vendit, ndërsa shteti duhet të krijojë kushte që rikthimi dhe jetesa në Mal të Zi të bëhen zgjedhje reale për qytetarët.
Presidenti theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian nuk duhet të mbetet vetëm proces teknik i përmbushjes së kushteve, por të sjellë standarde evropiane në jetën e përditshme përmes institucioneve efikase, drejtësisë funksionale, arsimit cilësor, shëndetësisë më të mirë dhe ekonomisë së qëndrueshme.
Ai shtoi se Mali i Zi ka potencial të madh falë njerëzve, diasporës, burimeve natyrore dhe mbështetjes së qytetarëve për integrimin evropian, por se vendit i nevojiten më shumë përgjegjësi, rend dhe respekt për interesin publik.
Sipas Millatoviqit, anëtarësimi në Bashkimi Evropian do të ketë vlerë të plotë vetëm nëse përmirëson realisht jetën e qytetarëve dhe forcon funksionimin e shtetit.










