KURTI: QEVERIA NUK E PRANON KUSHTËZIMIN E ANËTARËSIMIT NË KiE ME ASOCIACIONIN

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova në javët e fundit është përballur me një kusht të ri për pranimin në Këshillin e Evropës (KiE) i cili sipas tij, nuk ka të bëjë me standardet për anëtarësim në këtë organizatë.

Ai tha se pas kushtit që të zbatohej vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Manastirit të Deçanit, disa kryeqytete evropiane, tashmë po e kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në KiE me dërgimin e draftstatutit të Bashkimit Evropian (BE) për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim si kusht për anëtarësim.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe parakushtet duke nënvizuar se këtë e ka theksuar edhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, kur votoi pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me Asociacionin. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel jo në Strasburg. Neni shtatë i Marrëveshjes Bazike edhe në ndërlidhje me nenin 10-të nuk mund të nxirret jashtë marrëveshjes nuk mund të vendoset në qendër të saj dhe as sipër saj si një çështje urgjente”, theksoi Kurti.

Për këtë temë Kurti foli edhe në konferencën për media pas seancës së Qeverisë, duke thënë se kërkesa e emisarit të BE-së, Lajçak dhe emisarëve të tjerë, që të dërgohet draftstatuti i Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, është rrëzuar tre herë.

“Kërkesa që të dërgohet draftstatuti i Lajçakut dhe emisarëve të tjerë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është rrëzuar tre herë në institucionet e Këshillit të Evropës. Herën e parë në Paris më 27 mars tek Këshilli për Çështje Politike dhe Demokraci. Herën e dytë në Strasburg më 16 prill, sërish te Këshilli për Çështje Politike dhe Demokraci dhe së treti edhe në kuadër të Asamblesë Parlamentare e cila e pati atë seancë plenare”, theksoi Kurti.

Ai potencoi se përtej garancive që ka ofruar në letrën me zotime bashkë me presidenten Osmani dhe kryeparlamentarin Konjufca, nuk mund të kërkohet. Kurti shtoi se pengesat për anëtarësim në KiE i kanë menduar nga vendet që ende nuk e njohin Kosovën, por assesi nuk mendonin se pengesë do të bëheshin shtetet demokratike që kanë qenë dhe janë përkrahëse të Kosovës.

Gjatë kësaj jave, u bë e ditur se dy nga shtetet më të fuqishme të BE-së, Gjermania dhe Franca, kanë mbetur në qëndrimin për ta mbështetur Kosovën në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, vetëm në rast se Prishtina zyrtare ndërmerr veprime të prekshme në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

SHARE