ESCOBAR: BESOJ SE MALI I ZI DO TË JETË ANËTARI I ARDHSHËM I BE-së

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi sot se beson se Mali i Zi do të jetë anëtari i ardhshëm i BE-së.

Ai tha se disa vende të Ballkanit Perëndimor janë të vendosur në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe se është i kënaqur me këtë.

„Sidomos ato anëtarë të NATO-s – Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të cilët janë plotësisht të angazhuar në të gjithë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian,” tha Escobar.

Kur u pyet nëse ishte në dijeni për amendamentet e Malit të Zi në projekt-rezolutën për Srebrenicën dhe si i komentonte përçarjet në qeveri për këtë çështje, ai u përgjigj se ata i kishin parë amendamentet, por se Mali i Zi po punonte drejtpërdrejt me propozuesit e rezolutës.

Ai tha se nuk duhet të ketë ndarje në Evropë për këtë dhe se gjenocidi në Srebrenicë është fakt dhe rezoluta thjesht u kujton njerëzve se është një fakt historik.

Ai ka konfirmuar se largohet nga posti i të dërguarit special për Ballkanin dhe se i ka ardhur fundi i mandatit trevjeçar.

Ai ka shpjeguar se mandati në fakt është dy vjeçar, por ka kërkuar që të qëndrojë edhe një vit shtesë në atë pozitë.

SHARE