BORDI PËR DEMARKACION: KRYEQYTETI DHE TUZI TË DORËZOJNË REGJISTRIN E PRONËS

Kryeqyteti dhe Komuna e Tuzit duhet të dorëzojnë regjistrin e pronave në komisionin që merret me demarkacionin e këtyre dy pushteteve lokale, ishte konkludimi i mbledhjes së sotme në Ministrinë e Administratës Publike, e cila po koordinon këtë proces.

Kryetar i bordit të demarkacionit është zgjedhur Naim Gjokaj, përfaqësues i Ministrisë së Administratës Publike.

„Si kryetar do t’i dërgoj një shkresë kryetares së kryeqytetit, Olivera Injac dhe kryetarit të komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, që deri në takimin e radhës të na japin një regjistër të pasurisë në pronësi të Kryeqytetit dhe Komunës së Tuzit. Komiteti organizativ deri më tani nuk ka marrë as një regjistër të pasurisë, në mënyrë që të diskutojnë dhe të japin kërkesa dhe ide për mënyrën e shpërndarjes së tyre. Kjo është baza për punë. Përfaqësuesit e Kryeqytetit thanë se do të deklarohen përmes një shkrese për territorin dhe aty do të shprehin mendimin dhe qëndrimin. Përfaqësuesit e komunës së Tuzit do të deklarohen për këtë dhe do të japin kërkesa. Pas festave presim që të ketë një takim të ri,“ thotë Gjokaj.

Gjokaj tregon se anëtarët e komisionit organizativ në përbërjen e mëparshme i kanë dërguar shkresa Drejtorisë së Pronave të Kryeqytetit për të dorëzuar regjistrin, por nuk kanë marrë të dhëna të tilla.

Përfaqësuesi i Komunës së Tuzit, Emin Haxhi, tha se e kanë zhbllokuar procesin dhe se puna e bordit ka vazhduar.

„U ra dakord njëzëri që të vazhdojmë aty ku e lamë dhe u ndalëm në shpërndarjen e pronës. Ministria do t’i dërgojë një shkresë Olivera Injac dhe Lindon Gjelaj ku do të kërkojnë informacion të plotë për pronën e Tuzit dhe Kryeqytetit. Në këtë mënyrë do të krijohen supozimet dhe kushtet që ne në bord të shohim tablonë e plotë se cila është pasuria e përbashkët që do të ndajmë. Mund të flasim vetëm në bazë të dokumenteve zyrtare. Është e vërtetë që ka pasur një tranzicion pushteti në kryeqytet, por tashmë ka kaluar mjaft kohë që ata të mund të familjarizoheshin me procesin. Besoj se brenda dy javësh do t’i kemi të dhënat e kërkuara,“ tha Haxhi.

SHARE