KKSH: KËRKESË PËR TË HEQUR TARIFËN PËR SIGURACIONIN E AUTOMJETIT ME RASTIN E UDHËTIMIT NGA MALI I ZI PËR NË KOSOVË DHE ANASJELLTAS

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi i është drejtuar kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Albin Kurtit dhe ministres për Punët e Jashtme  znj. Donika Gërvalla me  kërkesën për të hequr tarifën për siguracionin e automjetit me rastin e udhëtimit nga Mali i Zi për në Kosovë dhe anasjelltas, shqetësim ky i cili shpesh është adresuar Këshillit Kombëtar, sidomos nga ana e studentëtve. “Shqiptarët nga Mali i Zi, në veçanti studentët, më të hyrë në shtetin e Kosovës duhet të pajisen me kartonin e sigurimeve për automjet, i cili për një përiudhë kohore dy javore minimalisht kushton 15.00 (pesëmbëdhjetë) euro, duhet shtuar këtu edhe tarifën njëdrejtimshe prej 5.00 (pesë) euro që duhet të paguajnë për traun në Rrugën e Kombit, të cilën e ka vendosur Qeveria e Shqipërisë vite më parë, në këtë mënyrë secili shqiptar nga Mali i Zi, i cili për arsye të ndryshme udhëton me automjet drejtë Kosovës dhe anasjelltas, i duhet të shpenzojë nga buxheti familjarë së paku 25.00 (njëzet e pesë) euro për taksa administrative, përafërsisht po aq sa edhe kostoja e karburantit për të dy drejtimet. Mendojmë se kjo është një barrë jo e vogël financiare për familjet shqiptare në Malin e Zi, e në veçanti për studentët,” thuhet në shkresën e KKSH-së. KKSH-ja kërkon që, sipas mundësive, në koordinim edhe me Qeverinë e Malit të Zi, të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dy shtetet sa i përket kësaj çështjeje, duke lehtësuar barrën për buxhetin e qytetarëve dhe, nga ana tjetër, siç thane ata, besojnë se kjo do të sillte impakt në intesifikimin e qarkullimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet vendeve fqinje.

SHARE