ANULOHET TAKIMI I MAJIT MIDIS BE-SË DHE BALLKANIT PERËNDIMOR

Samiti i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, që është dashur të mbahet më 7 maj në Zagreb, është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Presidenca e BE-së, që aktualisht udhëhiqet nga Kroacia, tha të mërkurën se data e re dhe mënyra e mbajtjes së samitit do të dakordohen më vonë, varësisht situatës. “Në marrëveshje me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, do të bëhen përpjekje për të gjetur një termin të ri në qershor, nëse këtë e lejon situata me COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi]”, thuhet në njoftim. “Përndryshe, nëse nuk do të jetë e mundur mbajtja e takimit fizik, do të sugjerohet zhvillimi i takimit me video-lidhje para përfundimit të presidencës kroate të BE-së, më 30 qershor”, thekson po ashtu njoftimi. Shumë vende të Evropës, tash e sa javë, janë izoluar, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Italia dhe Spanja kanë numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në botë: 17,127, përkatësisht 14,045.

SHARE