PRESIDENTJA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS, VJOSA OSMANI VIZITOI KOMUNËN E TUZIT

Presidentja e Republikës se Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Mal të Zi, sot vizitoi komunën e Tuzit. Presidentja Osmani së bashku me delegacion dhe ambasadoren e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka-Hoxha u prit në takim nga kryetari i komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj, kryetari i Kuvendit Fadil Kajoshaj, nënkryetari  Ivan Ivanaj dhe shefja e kabinetit të kryetarit Drita Rukaj.

Mbas takimit në një konferencë për media, kryetari Gjeloshaj si nikoqir u shpreh se ndihet i  nderuar dhe i emocionuar për këtë vizitë sepse të gjithë shqiptarët në Mal të Zi janë shumë të lidhur me Kosovën. “Bashkë biseduam për bashkëpunimin institucional të komunës së Tuzit me shtetin e Kosovës”. Ai njoftoi presidenten Osmani se kompanitë e para që po i japin zhvillim komunës së Tuzit vijnë pikërisht nga shteti i Kosovës.

Teksa uroi kryetarin për transformimin që po i bën qytetit e sidomos për sjelljen e investitorëve të rinj, presidentja shprehu gatishmërinë e saj për bashkëpunim ndërshtetërorë për çështjet në interes të qytetarëve të të dy vendeve. ,,Natyrisht që udhëheqjen tuaj këtu e shohim si një sukses të jashtëzakonshëm për shkak se pas shumë vitesh është arritur që komuna e Tuzit të jetë komunë në vete dhe në të njëjtën kohë e shohim një punë të mrekullueshme të bërë gjatë kësaj periudhe në dobi të të gjithë qytetarëve. Po ashtu e shohim edhe sukses të njerëzve që janë shkolluar në Republikën e Kosovës,“ tha Osmani. Osmani, pas takimit me kryetarin e komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, tha se shqiptarët në Mal të Zi kanë luajtur rol vendimtar për pavarësinë e Malit të Zi, si dhe shtet ndërtimit të tij, duke shtuar që shqiptarët vazhdojnë të jenë shtyrës i rëndësishëm i shtetit të Malit të Zi në rrugën evropiane. Presidentja Osmani premtoi mbështetje dhe përkrahjen për mbrojtje të identitetit shqiptar në Mal të Zi.

SHARE