SERBIA KËRKON QË ZGJEDHJET E SAJ TË MBAHEN EDHE NË KOSOVË

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se pret që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, me autoritetin që kanë, t’i mundësojnë popullit serb në Kosovë të votojë në zgjedhjet e Serbisë, të cilat do të mbahen në muajin prill. Në një bisedë me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandr Bocan Harchenko, Petkoviq tha se në Kosovë vazhdon “fushata e presionit dhe represionit kundër popullit serb”. Sipas tij, autoritetet në Kosovë përpiqen haptazi “të rrezikojnë dhe shfuqizojnë” të gjitha të drejtat politike dhe civile të serbëve. Petkoviq tha se për Beogradin, mbështetja dhe ndihma e Rusisë për çështjen e Kosovës janë të një rëndësie të madhe, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, duke u thirrur në një njoftim të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Beogradi, tha Petkoviq, është i vendosur që në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të përpiqet të gjejë zgjidhje kompromisi, por edhe të mbrojë interesat e serbëve.

SHARE