Komisioni Europian nuk kurseu asnjërën palë, as Kosovën e as Serbinë në raportet e tij të progresit për të dyja vendet, të cilave i tërhiqet vërejtje për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Në drafti prej 150 faqesh vlerësohet përmbushja apo mospërmbushja e kritereve nga ana e Kosovës, si dhe e rekomandimeve që ka dhënë KE-ja në raportet e mëhershme.
Kosova thuhet aty, ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar bllokut europian. Ky është vlerësimi kryesor në Raportin të cilin KE-ja pritet ta miratojë më 8 nëntor, pas takimit të Kolegjit të Komisionerëve.
Por, në raportet e këtij viti, si në atë për Kosovën, ashtu edhe në atë për Serbinë, një vëmendje e shtuar i është kushtuar përmbushjes së detyrimeve që dalin nga dialogu i Brukselit, dhe në këtë çështje të dyja vendet qortohen për moszbatim e tyre.
Duke e rikujtuar arritjen e marrëveshjes në Bruksel në shkurt dhe dakordimin për aneksin për zbatimin e saj një muaj më vonë në Ohër, raporti shpreh keqardhje që palët nuk kanë filluar ende t’i kryejnë detyrimet e tyre.
Ai nënvizon detyrimin e Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Në këtë pikë, dokumenti thekson se drafti i parë i statutit të Asociacionit, i cili ishte paraqitur në takimin e nivelit të lartë të dialogut në muajin maj, e që praktikisht ishte draft i Serbisë, “nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet relevante nga dialogu“, ndaj tani kërkon që Asociacioni të themelohet në bazë të propozimit të fundit që palëve iu paraqit në 21 tetor.