KRYENEGOCIATORËT E KOSOVËS DHE SERBISË TAKOHEN JAVËN E ARDHSHME

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen javën e ardhshme nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. 

Sipas burimeve, data 16 nëntor përmendet si datë e mundshme për takimin mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

Mundësinë e një takimi në nivel kryenegociatorësh gjatë kësaj jave e kishte paralajmëruar kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, i cili kishte deklaruar se takimi megjithatë nuk do të mbahej sepse ishte refuzuar nga Kosova.

Por, ky pretendim i Petkoviqit është mohuar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Lajçak konfirmoi për REL-in se ka pasur një ide paraprake që më 7 nëntor të takoheshin kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë.

“Pala e Kosovës ka paraqitur një kërkesë shumë të vlefshme dhe të rëndësishme për shtyrjen e takimit, të cilin lehtësuesi i BE-së e ka pranuar. I takon lehtësuesit të BE-së të përcaktojë se cilat kërkesa dhe arsye të ofruara nga palët në lidhje me organizimin e takimeve janë të vlefshme dhe të rëndësishme”, u tha në përgjigje.

Lajçak konfirmoi se tashmë ekziston një pajtim mes palëve për organizimin e takimit të radhës, ndonëse në përgjigje dërguar REL-it nuk përmenden data.

Megjithatë, paralajmërohet se në këtë takim do të diskutohen hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit dhe zbatimi i detyrimeve të palëve në dialog.

SHARE