‘SHPËRTHEN LUFTA’ NË BRITANI / 6 MIJË TRUPA ‘NË KËMBË’, POLICIA PËRGATITET PËR TRAZIRA

Policia britanike po përgatitet për trazira të reja antimyslimane të mërkurën, pasi grupet e ekstremit të djathtë thanë se do të shënjestrojnë qendrat e azilkërkuesve në mbarë vendin.

Britania po përballet me një valë dhune që shpërtheu javën e kaluar, pasi tre vajza të vogla u vranë gjatë një sulmi me thikë në veriperëndim të Britanisë, duke nxitur një valë dezinformimi online lidhur me identitetin e sulmuesit të dyshuar.

Në internet, sulmuesi i dyshuar u portretizua si emigrant mysliman.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka paralajmëruar protestuesit se do të përballen me dënime të gjata, ndërsa ai po tenton të ndalë valën më të rëndë të dhunës që Britania ka përjetuar në 13 vjetët e fundit.

“Detyra jonë e parë është që të sigurohemi që komunitetet tona të jenë të sigurta”, tha ai gjatë një deklarate.

“Ata do të jenë të sigurt. Ne do të bëjmë gjithçka që të sigurohemi që policia të ketë përgjigjen e duhur”, shtoi ai.

Në qyteza të ndryshme, grupe prej qindra protestuesish janë përleshur me policinë dhe kanë thyer dritaret e hoteleve që strehojnë azilkërkuesit nga Afrika dhe Lindja e Mesme, duke brohoritur “largohuni” dhe “ndaloni barkat”, duke iu referuar kështu anijeve të vogla me emigrantë që mbërrijnë në Britani.

Ata po ashtu kanë sulmuar me gurë xhamitë, duke terrorizuar komunitetet lokale, përfshirë minoritetet etnike.

Grupet antifashiste dhe kundër racizmit kanë paralajmëruar po ashtu se do të organizojnë kundërprotesta në mbarë vendin.

Qeveria ka mobilizuar 6.000 trupa policie, të specializuar për menaxhimin e trazirave, për t’u përballur me shpërthimin e luftës.

Kryeministri Stramer ka premtuar se të gjithë ata që po shkaktojnë trazira, po plaçkitin dyqane e po djegin makina do të përballen me drejtësinë.

Ai ka thënë se më shumë se 400 persona janë arrestuar, ndaj 100 protestuesve janë ngritur aktakuza dhe shumë shpejt do të nisin proceset gjyqësore ndaj tyre.

SHARE