JOHNSON JEP DORËHEQJE NGA PARTIA, MBETET KRYEMINISTËR TANI PËR TANI

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, të enjten ka dhënë dorëheqje nga posti i liderit të Partisë Konservatore. Në një fjalim drejtuar kombit, Johnson ka bërë të ditur se ka emëruar një kabinet qeveritar, kurse ai do të shërbejë si kryeministër i vendit derisa të zgjidhet pasuesi e tij. “Është e qartë tani se vullneti i Partisë Konservatore është që duhet të ketë një lider të ri të partisë dhe kryeministër”, ka deklaruar Johnson në adresimin nga zyra e kryeministrit. Njoftimi i Johnsonit u bë pasi më shumë se 50 zyrtarë britanikë dhanë dorëheqje nga postet e tyre. Pakënaqësitë në kabinetin e Johnsonit u shfaqën pas disa zbulimeve së fundmi lidhur me sjellje të papërshtatshme seksuale të ligjvënësit konservator Chris Pincher dhe u raportua se Johnson ishte në dijeni të këtyre ndodhive. Javën e kaluar, Pincher dha dorëheqje pasi dolën ankesa se ai kishte ngacmuar dy burra në një klub privat. Kjo nxiti një seri raportimesh për pretendime në të kaluarën ndaj Pincherit. Menjëherë pas zbulimit të këtij skandali nisën edhe dorëheqjet e para nga kabineti i Johnsonit. Tetë ministra, përfshirë edhe dy sekretarë të shtetit, kanë dhënë dorëheqje më 7 korrik, duke e lënë Johnsonin të izoluar dhe pa fuqi politike dhe duke e shtyrë atë që të njoftojë për dorëheqjen e tij. Pasi lideri konservator jep dorëheqjen, fillojnë zgjedhjet për një lider të ri partie. Sipas rregullave aktuale, kandidatët kanë nevojë për mbështetjen e tetë deputetëve konservatorë për t’u zgjedhur. Pasi të jenë shpallur të gjithë kandidatët, nëse ka më shumë se dy kandidatë, deputetët konservatorë mbajnë një seri votash derisa të mbeten vetëm dy kandidatë. Në rundin e parë, kandidatët duhet të marrin pesë për qind të votave për të mbetur (aktualisht 18 deputetë). Në rundin e dytë ata duhet të marrin 10 për qind (aktualisht 36 deputetë). Në rundin tjetër të votimit eliminohet kandidati me më pak vota. Kur mbeten dy deputetë, të gjithë anëtarët e Partisë Konservatore në të gjithë vendin, pra jo vetëm deputetët, votojnë për fituesin.

SHARE