OSMANI E HAPUR PËR ZGJEDHJE TË REJA NË KOMUNAT NË VERI

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova mund t’i shpallë zgjedhjet e reja në komunat në veri të Kosovës, nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, Osmani ka thënë se beson që peticioni është “mënyra më demokratike” për shpallje të zgjedhjeve.

“Në këtë mënyrë, mendoj që garantojmë pjesëmarrjen e serbëve, sepse kërkesa do të duhej të vinte prej tyre, prej qytetarëve”, ka thënë ajo.

Serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 29 majit në komunat në veri të Kosovës: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Osmani ka thënë se largimi i kryetarëve aktualë, përmes një peticioni, do të ishte “në lloj referendumi”, i cili do të hapte rrugë për një proces të dytë zgjedhor.

Ajo ka thënë se gjithë procesi mund të kryhet brenda muajsh.

Osmani ka thënë se para se të shpallen zgjedhjet e reja, Kosova duhet të marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar që Beogradi nuk do të ndërhyjë.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse votuesit serbë do të nisin peticion.

Lista Serbe, partia kryesore e serbe në Kosovë, ka thënë të hënën se mund të marrë pjesë në zgjedhjet eventuale kur t’i plotësohen disa kushte.

Ajo e ka përmendur tërheqjen e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, largimin e kryetarëve të rinj shqiptarë nga ndërtesat komunale, dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

SHARE