Bukë me Vaj Ulliri dhe Rigon

Nuk ka më mirë sesa buka që përgatitet vet në shtëpi. Kështu mund të përdorni recetën që preferoni më shumë dhe përbërësit që ju doni.

AgroWeb.org ju sugjeron një recetë të re dhe shumë të thjeshtë të bukës me rigon dhe vaj ulliri.

Me një aromë ideale dhe me një butësi porsi pambuku kjo bukë do t’ju kënaqë pamasë me shijen e saj.

Mund ta përgatisni që në drekë dhe do të jetë e freskët edhe mëngjesin tjetër.

Vetëm në disa hapa të lehtë ju do të surprizoni familjarët tuaj me një recetë, shumë më të shijshme dhe të shendetshme.

Për 1 bukë me peshë 1kg nevojiten

  • 25g maja
  • 1 lugë çaji me sheqer
  • 300ml ujë i vakët
  • 700g miell
  • 1 gjysmë luge gjelle me rigon të thatë të grirë
  • 3 lugë çaji me kripë
  • 6 lugë gjelle me vaj ulliri

Përgatitja

Në një tas hidhni ujin e vakët dhe shtoni aty majanë dhe sheqerin.

Përzjejini me një lugë derisa sheqeri të jetë tretur dhe lëreni mënjanë që majaja të aktivizohet.

Kur në sipërfaqen e tasit të jetë krijuar një ajkë në formën e shkumës majaja është gati.

Ndërkohë në një tas sitni miellin dhe shtoni rigonin dhe kripën, përzjejeni pak që rigoni të mos jetë në një vend.

Hidhni në këtë tas majanë që përgatitët më parë.

Punojeni fillimisht me një lugë druri, sa të lidhen pak përbërësit dhe më pas me duar.

Mundohuni që sipërfaqja e brumit të jetë e lëmuar.

Shtoni dhe vajin dhe punojeni përsëri në mënyrë që brumi ta përthithë.

Lëreni brumin të pushojë për dy orë në një tas duke e mbuluar me një pecetë të lagur derisa të fryhet.

Kur të ketë kaluar koha e nevojitur, kalojeni brumin në tavolinën e spërkatur me pak miell dhe punojeni për 2-4 minuta.

Merrni një tavë për pjekje dhe vendosni aty brumin e përgatitur.

Bëjini një prerje të thellë në të gjithë gjatësinë e bukës, dhe lërini të vijnë edhe për 30-40 minuta.

Piqini në furrë në 200-220 gradë për 30 minuta, ose derisa sipërfaqja e bukës të ketë marrë ngjyrë të artë.

Kur ta nxirrni nga furra lëreni pak të ftohet para se ta prisni.

SHARE