MACRON I GATSHËM TË NDËRMJETËSOJË NJË ZGJIDHJE MIDIS SHKUPIT DHE SOFJES

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është shprehur i gatshëm të takohet në Paris me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe presidentin bullgar, Rumen Radev, për të arritur një marrëveshje dypalëshe që do të mundësonte hapjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka përdorur veton për të bllokuar Maqedoninë e Veriut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian. Ajo fillimisht kontestonte gjuhën dhe identitetin maqedonas duke kërkuar nga Shkupi që të pranojë “rrënjët bullgare” në të kaluarën e tyre, por tani kërkesa kryesore e saj ka të bëjë me të drejtat e pakicës bullgare duke kërkuar përfshirjen e tyre në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Franca, e cila kryeson me presidencën e BE-në deri më 1 korrik, “ka disa javë që mbështet kërkimin e një zgjidhjeje të mosmarrëveshjes midis dy vendeve”, thuhet në një njoftim të Pallatit Elize pas një bisede telefonike të Macronit me Kovaçevskin dhe Radevin. Gjatë bisedës, Macron shprehu “mbështetjen e tij të plotë për një marrëveshje midis dy vendeve, si dhe respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve që pretendojnë se i përkasin komuniteteve ose pakicave të tjera”.

SHARE