KOSOVA SHQYRTON MUNDËSINË E RIKTHIMIT NË PROJEKTIN E GAZIT

Qeveria e Kosovës duket se po i rikthehet gazsjellësit, të cilin e kishte refuzuar vitin e kaluar. Gazsjellësi Trans-Atlantik, i njohur si TAP, kishte marrë mbështetjen më 2003 në kuadër të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), për të sjellë gazin natyror nga Azerbajxhani në Greqi, e më pas edhe në vendet tjera. Përfshirja e Kosovës në këtë projekt do të bëhej përmes terminalit në Vlorë të Shqipërisë. Vitin e kaluar, Kosova kishte hequr dorë nga projekti, me arsyetimin se projekti ishte ekonomikisht jo i favorshëm dhe kishte çmim të lartë. Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli në konferencë për media, të mbajtur të martën, ka bërë publike përmbajtjen e Draft-Strategjisë së Energjisë 2022-2031. “Qeveria e Republikës së Kosovës është po ashtu e përkushtuar të rrisë planifikimin e përbashkët të sistemit energjetik me Republikën e Shqipërisë. [Bashkë]investimi në termocentralet me gaz natyror për qëllim të mbulimit të kërkesës bazë dhe/ose për fleksibilitet të sistemit në Shqipëri, por edhe në Maqedoni të Veriut dhe në Greqi, do të shqyrtohen me qëllim të zbatimit brenda afatit të kësaj strategjie”, ka thënë ajo. Korporata amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) kishte thënë se do t’i jepte Kosovës një grant deri në 200 milionë dollarë, që do të mund të shfrytëzohej për infrastrukturën e gazit. Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031 është një nga dokumentet themelore, e cila përcakton drejtimet dhe veprimet kryesore për zhvillimin e sektorit të energjisë gjatë 10 vjetëve të ardhshëm. Në draftin e kësaj strategjie të prezantuar të martën thuhet se janë duke u shqyrtuar opsionet për ndërtimin e një sistemi me bazë gazi natyror në Kosovë, duke marrë parasysh faktin se aktualisht Kosova nuk ka rrjet të transmisionit të gazit.

SHARE