DUKAJ-ZHUNIQ: OBLIGIMI I INSTITUCIONEVE ËSHTË PËR TË PROMOVUAR PJESËMARRJEN AKTIVE TË TË RINJVE NË SHOQËRI

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka takuar sot ud Sabina Zhuniq, Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Mal të Zi dhe Nela Krniq, Koordinatore e Programit për Monitorimin e të Drejtave të Fëmijëve në UNICEF. Ministri Dukaj shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe mbështetjen e deritanishme të UNICEF-it dhe e njohu Zhuniqin me aktivitetet e zhvilluara në ministri dhe vuri në dukje se reforma dhe dixhitalizimi i administratës publike është një nga prioritetet në procesin e krijimit të administratës publike efikase, racionale dhe transparente e drejtuar kah qytetarët. “Shoqëria dixhitale bazohet në procese dhe shërbime të optimizuara më parë që synojnë nevojat e të gjithë qytetarëve, veçanërisht nevojat e fëmijëve, të cilët janë burimi ynë më i vlefshëm. Detyrim i institucioneve në nivel kombëtar dhe lokal është të promovojnë pjesëmarrjen aktive të të rinjve në shoqëri. Misioni ynë i përbashkët është përmirësimi i bashkëpunimit dhe përmirësimi i cilësisë së jetës dhe fuqizimi i fëmijëve si liderë të së ardhmes”, tha Dukaj. Zhuniq theksoi se është e lumtur që UNICEF-i dhe Ministria e Administratës Publike kanë aspirata të përbashkëta kur bëhet fjalë për të kuptuar interesat e fëmijëve dhe të rinjve, veçanërisht në aspektin e nevojës për të përmirësuar aksesin gjithëpërfshirës. Ajo prezantoi shkurtimisht prioritetet për promovimin e të drejtave të fëmijëve në kuadër të Programit të ri të Përbashkët të Bashkëpunimit ndërmjet UNICEF-it dhe Qeverisë së Malit të Zi nga viti 2023 deri në vitin 2027, i cili do të miratohet në seancën e Bordit Ekzekutiv të UNICEF-it në shtator. Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për një sërë aktivitetesh të ardhshme në lidhje me përmirësimin e pozitës dhe të drejtave të fëmijëve, trajnimin e nëpunësve civilë që punojnë me fëmijët dhe të rinjtë, një iniciativë për një bankë të dhënash për fëmijët për të monitoruar gjendjen e të drejtave të fëmijëve në Mal të Zi si dhe vendosjen e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve në sistemin juridik.

SHARE