OSMANI VIZITË ZYRTARE NË MAL TË ZI, TAKOHET ME KRYEMINISTRIN ABAZOVIQ DHE HOMOLOGUN E SAJ GJUKANOVIQ

Me nderime të larta shtetërore sot në Podgoricë është pritur presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nga homologu i saj presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq.

“Ne i kuptojmë ambiciet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, për të marrë statusin vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe e mbështesim fuqishëm këtë”, tha presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Kështu tha ai të martën para gazetarëve në Podgoricë, pas takimit që pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në vizitën e parë të saj zyrtare në këtë shtet.

Osmani tha se Mali i Zi deri më tani ka treguar mbështetje të qartë për Kosovën në të gjitha fushat. “Mali i Zi dhe Kosova janë shtete sovrane dhe qartësisht të përkushtuara në rrugën e anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të punojmë me synimin për të zgjidhur çështjet e së kaluarës sonë të dhimbshme. Ne do të vazhdojmë në rrugën e paqes dhe stabilitetit”, tha ajo. Ajo falënderoi Gjukanoviqin për mbështetjen e tij, dhe tha se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO i kontribuoi paqes në të gjithë rajonin.

Duke folur për raportet e ndërsjella, të cilat sipas tyre janë të rëndësishme dhe miqësore, Gjukanoviq tha se ka punë përpara që pakica malazeze në Kosovë të përfshihet në Kushtetutën e Kosovës si komunitet zyrtar. Osmani tha komuniteti malazez në Kosovë është pjesë e rëndësishme e shoqërisë dhe shtetit. Gjukanoviq tha gjithashtu se Mali i Zi po ndjek me kujdes gjithçka që po ndodh në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Ne jemi të bindur se mund të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme. Me zgjidhjen e kësaj çështjeje – do të zgjidhej dukshëm çështja e stabilitetit e këtij rajoni”. Osmani tha se gjatë takimit është biseduar për potencialin e jashtëzakonshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Vizita zyrtare e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve, dhe delegacioni i sotëm i shumtë i Qeverisë së Malit të Zi pasqyron gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar në të gjitha fushat, tha kryeministri Dritan Abazoviq.

“Në takim u theksua se potencialet ekonomike të bashkëpunimit mes dy vendeve janë duke u realizuar gjithnjë e më shumë, të cilat mund të përmirësohen edhe më tej me mbajtjen e një forumi biznesi të biznesmenëve të Malit të Zi dhe Kosovës në periudhën e ardhshme. Në këtë kontekst u theksua se për të përmirësuar bashkëpunimin ekonomik është e nevojshme të punohet në lidhje më të mirë infrastrukturore, siç është ndërtimi i rrugëve të reja rrugore Plavë-Deçan dhe Rozhajë-Pejë”, njoftoi Qeveria.  Bashkëbiseduesit u pajtuan se marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës janë miqësore dhe bazohen në parimet e besimit reciprok, fqinjësisë së mirë dhe perspektivës së përbashkët evropiane dhe euroatlantike.

Në ditën e dytë të vizitës, presidentja Osmani do të vizitojë komunat e Tuzit dhe Ulqinit.

SHARE