MBI 5 MIJË VIKTIMA NË TURQI E SIRI NGA TËRMETI TRAGJIK / VAZHDOJNË PËRPJEKJET PËR SHPËTIMIN E NJERËZVE NËN RRËNOJA

Ka shkuar në mbi 5 mijë numri i viktimave nga tërmeti tragjik në Turqi e Siri ndërsa operacioni i kërkim shpëtimit ka vazhduar gjatë gjithë natës. Reshjet e dendura të shiut e borës po pengojnë përpjekjet e ekipeve të shpëtimit, të vëna në garë me kohë për gjetjen e të mbijetuarve pas tërmetit shkatërrimtar që goditi orët e para të së hënës Turqinë juglindore dhe Sirinë fqinjë. Mbi 5 mijë të vdekur dhe 18,000 të plagosur është deri tani bilanci i fatkeqësisë. Në provincën jugore të Hatay-t, sipas reuters, zeri i një gruaje është dëgjuar të thërrasë për ndihmë nën një pirg gërmadhash, por nuk është nxjerrë dot. Pamjet tronditëse të përcjella nga AFP, që tregojnë momentet e nxjerrjes së trupave të pajetë të dy vëllezërve të përqafuar, u kthyen në dëshminë më të dhimbshme deri tani të tragjedisë që ka pllakosur Turqinë. Nuk mungojnë megjithatë as lajmet e shpresës, sic ishte ai i shpëtimit të një gruaje dhe tre fëmijëve të saj pas 28 orësh të kaluara nën gërmadha. Qeveritë nga e mbarë bota kanë ofruar ndihmë për Turqinë dhe Sirinë pas tërmeteve të fuqishme. Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për tre muaj në 10 zonat e vendit të prekura nga tërmeti shkatërrimtar i së hënës. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme vjen në kohën kur në të dy anët e kufirit vazhdon gara me kohën për të shpëtuar personat e mbetur nën rrënojat e mijëra ndërtesave të shkatërruara, por reshjet e shiut e të dëborës i kanë  vështirësuar së tepërmi përpjekjet e ekipeve të shpëtimit.

SHARE