Serbët e komunave jugore të Kosovës duket se do t’u bashkohen atyre të veriut në bojkotimin e institucioneve të vendit. Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiç ka deklaruar se ekziston mundësia e dorëheqjes nga institucionet, por që janë në pritje të direktivave nga Beogradi. Në këtë pikë, Qeverisë së Kosovës i kërkohet dialog me serbët për të mos u kthyer mbrapa në procesin e integrimit të tyre. Megjithatë, deri tash një dialog i Qeverisë Kurti me serbët mungon dhe dorëheqjet e tjera thellojnë edhe më shumë situatën. Ndërkohë që çështja e kthimit të serbëve në institucione tashmë është temë diskutimi në dialog, që mund të përdoret edhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Përpos katër komunave veriore, në Kosovë serbët janë shumicë edhe në Ranillug, Partesh, Kllokot, Shtëprcë, Graqanicë dhe Novobërdë. Dorëheqjet e mundshme do të bënin jofunksionale 10 komuna ku shumicë e banorëve janë serbët.