MILLATOVIQ: KËRKESA E KROACISË NUK ËSHTË REALE, RRUGA EVROPIANE E MALIT TË ZI NUK DUHET TË KUSHTËZOHET

 Foto: Boris Pejović

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, e ka cilësuar si joreal pretendimin e Kroacisë për kthimin e pronave me vlerë mbi 2.7 miliardë dollarë, përfshirë anijen “Jadran”, duke theksuar se çështjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë rrugën evropiane të vendit.

Millatoviq tha se Mali i Zi dhe Kroacia duhet të përqendrohen në gjërat që i bashkojnë dhe të shmangin deklaratat që i kthejnë marrëdhëniet në të kaluarën.

Ai theksoi se kapitulli 31 i negociatave me BE-në prej muajsh nuk është mbyllur, edhe pse teknikisht është gati, duke e lidhur këtë me qëndrimet dypalëshe, veçanërisht ato të Kroacisë.

Millatoviq tha se pret që Mali i Zi deri në verën e vitit të ardhshëm të nënshkruajë marrëveshjen e anëtarësimit me BE-në, pas së cilës do të nisë procesi i ratifikimit nga vendet anëtare.

Ai gjithashtu bëri të ditur se është në procedurë hapja e ambasadës së Selisë së Shenjtë në Podgoricë dhe se do të dëshironte që Papa Leo XIV të vizitonte Malin e Zi.

SHARE