Ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë, Italisë, Greqisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë u mblodhën në Venecia, ku diskutuan për thellimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në një mjedis gjithnjë e më kompleks strategjik.
Gjatë takimit, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Nufi, theksoi rëndësinë e forcimit të Nismës Adriatiko-Joniane (ADRION) si mekanizëm praktik për rritjen e koordinimit, ndërveprueshmërisë ushtarake dhe zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta.
Ai shprehu mbështetjen e Shqipërisë edhe për vijimin e diskutimeve mbi Nismën Kontinentale Evropiane për Mbrojtjen (CEDI), përmes së cilës Evropa synon të marrë përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e saj, në mënyrë plotësuese me NATO-n dhe duke ruajtur lidhjet transatlantike.
Nufi theksoi se ADRION dhe CEDI janë dy procese plotësuese, ndërsa konfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në mënyrë aktive në forcimin e kapaciteteve dhe sigurisë evropiane.








