MINISTRI HASANI: DIALOGU KOSOVË-SERBI ËSHTË RRUGA E VETME DREJT PAQES

Në kuadër të samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit, në Shqipëri është mbajtur takimi i ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga vendet e Ballkanit, Bashkimit Evropian (BE) dhe organizatat e ndryshme.

Ministri Hasani tha se samiti i Procesit të Berlinit dhe ministerialet që i paraprinë janë në thelb një mundësi për të diskutuar se çfarë forme mund të marrë ky angazhim dhe çfarë forme mund të marrë mbështetja e BE-së për rajonin në kushtet aktuale.

“Situata aktuale gjeopolitike, me agresionin rus në Ukrainë dhe me tensionet në rritje në zona të ndryshme të rajonit tonë, ka prodhuar shumë sfida që kërkojnë vëmendje dhe adresim, që kërkojnë po ashtu angazhim të fortë jo vetëm të rajonit, por edhe të Bashkimit Evropian”, u shpreh Hasani.

Hasani foli edhe për tensionet në veri të Kosovës dhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë, një sulm terrorist kriminal në veri të Kosovës. Qëndrimi ynë ndaj procesit të dialogut, normalizimit, mbetet i pandryshuar dhe është në harmoni të plotë me qëndrimin e BE-së dhe SHBA-së. Në situatën e tanishme dialogu Kosovë-Serbi është rruga e vetme drejt paqes”, tha ai.

Baerbock: Zemra e Procesit të Berlinit është bashkëpunimi në kuadër të tregut të përbashkët rajonal

Kryediplomatja gjermane, nga ana e saj, tha se zemra e Procesit të Berlinit është bashkëpunimi në kuadër të tregut të përbashkët rajonal dhe shtoi se të gjithë duhet të përshpejtojnë ritmin e anëtarësimit në BE.

Baerbock shtoi se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës e shndërron anëtarësimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE në një proces të nevojshëm dhe të domosdoshëm në dimensionin gjeopolitik dhe shtoi se “pikërisht për të përparuar në këtë drejtim do të duhet që të shuhen njëherë e mirë shkëndijat e zjarreve të vjetra, vatrave të shumta të konflikteve të mëdha e të vogla në rajon”.

Duke iu referuar edhe tensioneve të fundit në veri të Kosovës, ajo tha se çelësi i zgjidhjes së konfliktit është në Beograd dhe Prishtinë.

“Provokimet e palës serbe përmes rritjes së prezencës së trupave në kufirin me Kosovën e kanë nxehur edhe më tej situatën që edhe ashtu ishte e tensionuar dhe për këtë biseduam gjatë këtij takimi. Kjo ndodhi pas një sulmi tinzar kundër policisë kosovare prej një bande terroriste të armatosur gjerë në dhëmbë. Presim prej qeverisë serbe që të mund të çojë më përpara proceset hetimore të ngjarjeve të 24 shtatorit dhe të kontribuojë në sqarimin e rrethanave. Situata është aq e tensionuar saqë NATO ka rritur praninë e KFOR-it”, tha ajo.

SHARE