Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq tha se fqinjët në anën tjetër të kufirit nuk duhet të shihen si armiq, por si partnerë dhe miq të nevojshëm për bashkëpunim.
Këtë ai e deklaroi në takimin ministror në kuadër të Procesit të Berlinit të zhvilluar në Tiranë.
Kryeministri Abazoviq përgëzoi Shqipërinë për kryesimin e procesit të Berlinit dhe deklaroi se Mali i Zi ndjek plotësisht politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në bashkëpunimin e ngushtë dhe heqjen e të gjitha pengesave në rrugën e pajtimit dhe përparimit”, theksoi kryeministri i Malit të Zi.
Ai theksoi se promovimi i stabilitetit në rajon është i domosdoshëm nëse duam të jemi pjesë e BE-së dhe në këtë drejtim u bëri thirrje vendeve të rajonit dhe BE-së që me deklaratat e tyre të kontribuojnë në vendosjen e stabilitetit afatgjatë, si premtim i së ardhmes sonë të përbashkët evropiane.
Abazoviq theksoi përkushtimin e Malit të Zi ndaj procesit të Berlinit, duke përmendur si shembull se vendi ynë është i pari dhe tani për tani i vetmi që ka dhuruar për Fondin Kulturor Rinor të Ballkanit Perëndimor.
Me qëllim të promovimit të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit të përbashkët evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi mbështet iniciativat që lidhen me promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, mirëkuptimin reciprok dhe bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët.