TË HËNËN NIS SHPËRNDARJA E TEKSTEVE FALAS PËR NXËNËSIT E SHKOLLAVE FILLORE

Foto: Ilustrim

Qeveria e Malit të Zi edhe këtë vit ka siguruar tekste shkollore falas për të gjithë nxënësit e shkollave fillore.

Për vitin shkollor 2026/2027, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit ka ndarë mbi tre milionë euro për shtypjen e teksteve dhe blerjen e librave për gjuhët e huaja.

Enti për Tekste Shkollore dhe Mjete Mësimore njoftoi se shpërndarja e pakove me tekstet falas do të nisë të hënën, më 10 gusht, dhe do të zhvillohet në tri faza.

Nxënësit e klasave të para, të dyta dhe të treta do t’i marrin tekstet duke filluar nga 10 gushti, ata të klasave të katërta, të pesta dhe të gjashta nga 17 gushti, ndërsa nxënësit e klasave të shtata, të teta dhe të nënta nga 24 gushti.

Drejtorët e shkollave do të njoftohen me kohë për datat e dorëzimit, ndërsa gjatë shtatorit dhe tetorit do të organizohet shpërndarje shtesë për nxënësit që regjistrohen më vonë në klasën e parë ose për ata që vijnë nga jashtë dhe vazhdojnë shkollimin në Mal të Zi.  

Për nxënësit e gjimnazeve dhe shkollave të mesme, kompletet e teksteve shkollore do të kushtojnë nga 118,10 deri në 146,90 euro, varësisht nga viti i shkollimit dhe gjuha e parë e huaj. Shitja dhe shpërndarja e tyre në libraritë në mbarë Malin e Zi do të fillojë në gjysmën e dytë të gushtit.

SHARE