IVANOVIQ: BASHKIMI EVROPIAN NUK E ZBEH IDENTITETIN, POR E PROMOVON ATË

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi për Punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane, Filip Ivanoviq, ka deklaruar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk nënkupton humbjen e identitetit kombëtar, por përkundrazi krijon mundësi që ai të promovohet dhe të bëhet më i dukshëm në Evropë dhe në botë.

Në një tekst autorial të publikuar në revistën elektronike Eurokaz, Ivanoviq trajton një nga dilemat më të shpeshta që shoqërojnë procesin e integrimit evropian të Malit të Zi.

Ai thekson se shqetësimet për ruajtjen e identitetit kombëtar kanë qenë të pranishme pothuajse në të gjitha vendet që janë bërë pjesë e Bashkimit Evropian, por sipas tij, përvoja ka dëshmuar se BE-ja bazohet në respektimin e identiteteve kombëtare dhe të diversitetit kulturor, e jo në uniformizimin e popujve.

Ivanoviq vlerëson se identiteti malazez është formësuar ndër shekuj përmes ndërveprimit me kultura dhe qytetërime të ndryshme, ndërsa afrimi me Evropën është vazhdimësi e këtij zhvillimi historik.

Ai sjell si shembuj Maltën dhe Slloveninë, të cilat, pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kanë forcuar promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditës së tyre përmes programeve dhe fondeve evropiane.

Sipas tij, identiteti nuk ruhet me deklarata politike, por përmes arsimit, kulturës, shkencës dhe kujdesit të vazhdueshëm për trashëgiminë kombëtare.

Ivanoviq thekson se kërcënimi më i madh për identitetin nuk është hapja ndaj botës, por mungesa e vlerësimit dhe kujdesit për trashëgiminë e vet.

Në fund, ai shprehet se integrimi evropian nuk është një zgjedhje mes traditës dhe së ardhmes, por një mundësi që Mali i Zi ta prezantojë identitetin, historinë dhe kulturën e tij me më shumë vetëbesim, dinjitet dhe dukshmëri në skenën evropiane dhe ndërkombëtare.

SHARE