Italia do të vendosë të 27 qytetet e saj kryesore, nga Trieste në veri deri në Palermo në jug, nën alarmin më të lartë për nxehtësi, ndërsa vala e katërt e të nxehtit që ka goditur vendin këtë verë po intensifikohet.
Një alarm i kuq nënkupton rrezik të lartë për emergjencë shëndetësore, pasi temperaturat ekstreme paraqesin kërcënim për të gjithë popullsinë.
Të mërkurën, 25 qytete ishin nën alarm të kuq, ndërsa të enjten iu shtuan edhe dy të tjera, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Kjo është hera e parë këtë vit që të 27 qytetet e monitoruara nga sistemi i mbikëqyrjes së temperaturave të larta të Ministrisë së Shëndetësisë janë vendosur në nivelin maksimal të alarmit.
Temperaturat në disa zona të Italisë kanë arritur deri në 40 gradë Celsius ditët e fundit.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin direkt në diell nga ora 11:00 deri në 18:00, të qëndrojnë brenda sa herë që është e mundur dhe të konsumojnë të paktën 1.5 litra ujë në ditë.
Udhëzimet përfshijnë gjithashtu shmangien e pijeve të gazuara, kafesë, alkoolit dhe vakteve të rënda, veshjen e rrobave të lehta, si dhe moslënien e fëmijëve apo kafshëve në automjete.
Shkencëtarët paralajmërojnë se temperaturat ekstreme, të lidhura me krizën klimatike të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, pritet të vazhdojnë edhe për të paktën një javë. Evropa është kontinenti që është ngrohur rreth dy herë më shpejt se mesatarja globale.
Vala e të nxehtit në Itali është lidhur me katër vdekje gjatë ditëve të fundit, përfshirë një 19-vjeçar që punonte në mbledhjen e domateve dhe një zdrukthëtar 40-vjeçar, të dy në zona industriale të rajonit të Lombardisë.
Gjithashtu, një roje sigurie në Bolonjë dyshohet se ka humbur jetën nga një problem shëndetësor i lidhur me nxehtësinë, ndërsa ndodhej në automjetin e tij.









