Foto: KE
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Mal të Zi vlerësoi se takimi i sotëm përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të dialogut politik dhe ndërtimit të besimit ndërmjet shumicës parlamentare dhe opozitës, me synim arritjen e marrëveshjes për ndryshimet kushtetuese dhe vendime të tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar, në interes të rrugës evropiane të Malit të Zi.
Palët ranë dakord të nisin ndryshime në ligjet për punët e brendshme dhe sigurinë kombëtare, duke përmirësuar procedurat për kontrollin e pengesave të sigurisë dhe duke forcuar mekanizmat e kontrollit gjyqësor mbi punën e Agjencisë për Siguri Kombëtare.
Gjithashtu, Kuvendi do të formojë një grup të posaçëm pune, me përfaqësues të pushtetit dhe opozitës, që do të mbikëqyrë zbatimin e këtyre ligjeve.
Pjesëmarrësit u pajtuan edhe për intensifikimin e përpjekjeve për zgjedhjen e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për zhvillimin e një dialogu gjithëpërfshirës lidhur me emërimet që kalojnë përmes procedurave parlamentare.
Po ashtu, u konfirmua përkushtimi për zbatimin e reformave prioritare zgjedhore në kuadër të procesit të integrimit në BE, me synimin që vendimet për reformat zgjedhore para zgjedhjeve të vitit 2027 të miratohen me konsensus përmes dialogut politik dhe shoqëror.
Dialogu për çështjet kyçe të integrimit evropian do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.












