14 PERSONA TË VDEKUR NË KIEV, PLAGOSEN DHJETËRA TË TJERË

Të paktën 14 persona kanë humbur jetën dhe 46 të tjerë janë plagosur, mes tyre pesë fëmijë, pas një vale të re sulmesh ruse me raketa dhe dronë ndaj kryeqytetit të Ukrainës, Kievit.

Sulmet janë të dytat brenda një jave dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesa banimi dhe infrastrukturë civile.

Sipas kreut të administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko, 11 persona u vranë në kryeqytet, ndërsa tre viktima të tjera u regjistruan në rajonin përreth. Ai bëri të ditur se ekipet e shpëtimit vazhdojnë punën në më shumë se 20 zona të goditura, ku dyshohet se ende ka persona të bllokuar nën rrënoja.

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se raketat balistike goditën disa lagje të qytetit, duke shkaktuar zjarre në ndërtesa shumëkatëshe, ndërsa u dëmtuan edhe depo dhe objekte industriale.

Të paktën tre pallate janë shembur pjesërisht pas goditjeve, ndërsa zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar.

Gjatë natës, sirenat e alarmit u dëgjuan në të gjithë kryeqytetin, ndërsa sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore u aktivizuan për të interceptuar raketat ruse. Mijëra banorë u strehuan në stacionet e metrosë dhe në strehimore të tjera nëntokësore.

Vetëm disa orë para sulmeve, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte paralajmëruar se shërbimet e inteligjencës kishin sinjalizuar një valë të re sulmesh masive ndaj Kievit.

Sulmet ndodhin në prag të samitit të NATO-s, ku Zelensky pritet të zhvillojë takime me aleatët perëndimorë për të kërkuar mbështetje shtesë ushtarake. Presidenti ukrainas u bëri thirrje partnerëve të përshpejtojnë furnizimin me raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore, duke theksuar se çdo vonesë sjell humbje të tjera jetësh.

Nga ana tjetër, Rusia ka deklaruar se objektivat e sulmeve të saj janë infrastruktura ushtarake dhe energjetike e Ukrainës, ndërsa Kievi e akuzon Moskën për sulme të qëllimshme ndaj zonave civile.

Konflikti mes dy vendeve vazhdon të përshkallëzohet, ndërsa sulmet e fundit konsiderohen ndër më të rëndat ndaj kryeqytetit ukrainas gjatë javëve të fundit.

SHARE