MILLATOVIQ: QËLLIMI ËSHTË TË PËRSHPEJTOHEN NEGOCIATAT E PRANIMIT ME BE-në

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, priti shefen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Kristina Popa, është bërë e ditur nga Zyra e Presidentit të Malit të Zi. 

Siç thuhet në njoftim, temë e diskutimit ishte rruga evropiane e Malit të Zi, vizita e fundit e presidentit Millatoviq në Bruksel dhe pjesëmarrja në Samitin e Bashkësisë Politike Evropiane në Moldavi.

“Si ky takim, si dhe nisja ime në Bruksel për vizitën e parë zyrtare në mandatin e Presidentit të vendit, janë simbol i rëndësisë së agjendës evropiane për vendin tonë. Në Samitin në Moldavi u takova me më shumë se 30 liderë evropianë, ku theksova rëndësinë e ndryshimeve politike në Mal të Zi, me qëllim të përshpejtimit të negociatave të anëtarësimit”, tha Millatoviq. 

Në takim ai theksoi se emërimet në drejtësi janë të nevojshme, prandaj është nisur dialogu me përfaqësuesit e subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“E kam nisur atë proces para zgjedhjeve për të treguar neutralitetin tim dhe për të qenë i sigurt se dialogu ka filluar me të gjithë aktorët politikë. Ftesës iu përgjigjën 12 nga gjithsej 15 lista zgjedhore, e cila tregonte një marrëdhënie konstruktive. Menjëherë pas zgjedhjeve do ta vazhdojmë atë dialog, sepse besoj se një nga prioritetet është zgjedhja e bartësve të pozitave gjyqësore në Kuvend”, tha Millatoviq.

Ai tha se pret që zgjedhjet parlamentare që do të mbahen të dielën të zhvillohen në një atmosferë paqësore dhe demokratike. 

SHARE